Aranita Brahaj: – Shqipëria Injekton vetëm 4.9% të GDP-së në Prokurime Publike, loja është diku tjetër

Aranita Brahaj
13 Maji 2026
Ekspertja e prokurorimeve publike, Aranita Brahaj, e ftuar në emisionin Task Force me Sonila Meçon, ngriti shqetësime serioze lidhur me gjendjen e tenderave publike në Shqipëri, duke paraqitur të dhëna që tregojnë një rënie drastike të investimeve shtetërore në ekonomi.
Sipas Brahajt, nëse hiqen tenderat e anuluar, shteti shqiptar injektoi në prokurime publike vetëm 4.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2023, shumë nën mesataren e nevojshme prej 10% që raporton qeveria zyrtarisht.
Brahaj shpjegoi se ndarja e kontratave të mëdha në lote të vogla ka shërbyer si mjet për të penguar pjesëmarrjen e kompanive të huaja në tenderime. Kompanitë greke, italiane apo britanike, sipas saj, nuk kanë interes të sjellin makineri dhe infrastrukturë për të fituar vetëm një segment të vogël pune.
Eksperta vuri në dukje se pas presionit të SPAK-ut në vitet 2021-2023 mbi tenderat, u pa një rënie e numrit të tenderave, por jo e korrupsionit. Sipas saj, ‘loja u zhvendos nga korrupsioni në prokurim publik tek korrupsioni me legjislacion ose me akt nënligjor, me VKM. Sa e sa kontrata tani jepen me VKM.’
‘Pra nëse ti je në tregun e tenderave ndërkombëtarë, kompani greke, kompani italiane, kompani britanike, e kanë kuptuar që ti je një vend që po investon në infrastrukturë dhe vijnë të marrin pjesë në garë, në momentin që ti segmenton në lote, bën 10 lote, 12 lote, atëherë kjo kompania e huaj nuk do vijë të investojë dhe të futet për të marrë një segment të vogël për të sjellë makineritë, infrastrukturën, për të bërë kontraktimet, nënkontraktimet. Ky ka qenë një truk i përdorur dhe…
Ja ku është big data që ta tregon zhvillimin e 2014-ës dhe është një nga elementët. Ka edhe elementë të tjerë aty, për shembull, po ta shohim, shih si fillojnë në ulje dhe në tkurrje tenderat në vitet e fundit. Dhe po të heqim edhe tenderat e anuluar që në vitin 2024 është anuluar dy herë porti i Porto Romanos.
Në vitin 2023 kemi një anulim të dhjetëra tenderave që janë për logjistikë ushtarake, të cilat i shkojnë KAYO-s dhe bijave të saj, ose janë anuluar tërësisht, na del që sot shteti shqiptar injekton në prokurime publike vetëm 4.9% të GDP-së. Kaq ishte në 2023-shin, e analizuam ne.
Jo 10% Rama, por kjo është një mesatare e nevojshme dhe po të shohësh statistikat raportohet 10 sepse nuk hiqen anulimet. Por, e di ç’do të thotë 4.9% e GDP-së në prokurim? Është shumë pak. Do të thotë, ka dy elementë dhe ju lutem se janë dhe terma ekonomik dhe s’dua t’i bëj të vështirë.
Katër pikë nëntë do të thotë që ti nuk po injekton lekë në ekonomi. Ti po i lë taksapaguesit pa rrugë, pa mallra, pa shërbime. Nga ana tjetër, 4.9 do të thotë që ti nuk po i jep mundësi biznesit të fitojë tender dhe të punësojë njerëz dhe t’i japë rroga. Pra, gjithë përqendrimin e tregut e ke bazuar te disa sektorë të cilët nuk janë sektorë me zhvillim ekonomik.
Por në fakt, nuk është që kontraktimi është në nivelin 4.9. Loja është diku tjetër. Në 2021, 22, 23, SPAK-u pati një presion duke investiguar tenderat. Nga ana tjetër pati më pak tendera të cilët, sepse dhe zyrtarët kanë frikë ose janë nën survejim ose nën vështirësi. Atëherë çfarë ndodh?
Kalojmë nga korrupsioni në një prokurim publik tek korrupsioni me legjislacion ose me akt nënligjor. Me VKM. Sa e sa kontrata tani jepen me VKM. Unë thashë edhe në atë konferencën e sotme dhe më vjen mirë që bëhet një skanim i të dhënave. Ne kemi një standard sepse dhe prokurimi publik bëhet sepse jemi në proces integrimi. Dhe prokurimet janë…
Liritë publike, të drejtat e njeriut, antikorrupsioni. Atëherë, çfarë do të thotë? Në qoftë se ti e ke vetëm 4.9%, se kaq është nëse heqim anulimet për 2023-shin. Do të thotë që ti ke dhënë para, se po të shohim transaksionet e thesarit, rezulton që del më shumë para nga buxheti i shtetit, nga buxhetorët.
Por këtë para ti e ke dhënë me kontrata speciale. Ligji për PPP-të, i është vënë kusht Shqipërisë që brenda vitit të bëjë një ligj i cili duhet të jetë sipas direktivës europiane për koncesionet dhe partneritetet publike private. Ligji është miratuar së fundmi, ama që nga 2024 ne nuk kemi ndonjë prokurim, tender për koncesione.
Qeveria PPP-të i bën ndryshe. Ka krijuar Korporatën Shqiptare të Investimeve, sa herë do të bëjë një partneritet që ti merr këtë tokën, ndërton këtë shërbimin ose këtë godinën, ligji special që rregullon këtë, këtë, këtë korporatë, pra këtë shoqëri aksionere me zotërim publik, i bën dhe këto. Atëherë për çfarë e bëmë ligjin ne? Për t’i hedhur hi sy Evropës?
Këto reporterët që po punojnë në Bruksel, të cilët janë në disa nivele, janë tmerrësisht më të angazhuar dhe më të kujdesshëm në vlerësimin e fakteve. Ata po na vënë në punë edhe ne, shoqërinë civile, duke na kërkuar argumente pafund.
Një indikator tjetër që raportohet: kontraktorët e vetëm në garë, të cilët ne i kemi shumë. Por e di çfarë thotë Evropa? Ky indikator nuk duhet të vijë si kontraktor i vetëm, por kontraktor i vetëm me ofertë të vlefshme. Ato skualifikimet nuk të quhen me garë, të quhet pa garë.
Ti ke vetëm një ofertë e cila, e cila ka hyrë dhe ka qëndruar si ofertë e vlefshme. Dhe këtu ty të është ulur niveli i vlerësimit. Prandaj unë mendoj që, mendoj që qeveria ka menduar që prokurimi publik është i lehtë se ka bërë dy ligje, ka bërë dy raporte, ka montuar pak statistika’, tha Aranita Brahaj.
