Erisa Kryeziu

13 Maji 2026

Gazetarja Erisa Kryeziu, foli për zhvillimin urban të Tiranës dhe problemet që sipas saj po krijohen nga ndërtimet masive dhe moszbatimi i planit urbanistik të kryeqytetit.

Kryeziu u ndal te dokumentari “Tirana Vertikale”, i cili trajton mënyrën se si qyteti po humbet hapësirat publike dhe po orientohet drejt një zhvillimi të pakontrolluar me kulla dhe komplekse të reja banimi.

“Sot vijmë në një situatë që ky plan nuk është zbatuar dhe ajo çka ka dominuar në këto vite është dhënia e lejeve masive, infrastrukturë e reduktuar në shërbim të qytetarit dhe pamundësi për familjet e reja që të blejnë një apartament.”-tha ai.

Sipas saj, shumë çifte të reja po detyrohen të largohen drejt zonave periferike për shkak të çmimeve të larta në Tiranë, por edhe atje përballen me mungesë transporti publik dhe vështirësi për të aksesuar shërbimet bazë të qytetit.

Gazetarja ngriti shqetësimin edhe për tkurrjen e hapësirave të gjelbra, duke marrë si shembull zonën e Parkut të Liqenit Artificial, ku sipas saj ndërtimet kanë avancuar vit pas viti.

“Janë 40-45 hektarë të cilët janë marrë nga parku vit pas viti dhe kjo për shkak të ndërtimit të gradaçelave të mëdha, të cilat po kafshojnë pjesët e gjelbra.”-shtoi ajo.

U fol edhe për përplasjen mes Planit Urbanistik Vendor të Bashkisë së Tiranës dhe vendimeve të Këshillit Kombëtar të Territorit, që sipas Kryeziut po miraton ndërtime përtej limiteve të parashikuara në planin urbanistik të vitit 2016.