20 Nëntor 2026

Një situatë e pazakontë televizive ka tërhequr vëmendjen e teleshikuesve gjatë transmetimit të emisionit “Top Story” në Top Channel ditën e djeshme, ku e ftuar ishte Elisa Spiropali. Në momentin kur Spiropali po bënte denoncime dhe akuza të forta në drejtim të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, transmetimi u ndërpre me një bllok publicitar që zgjati rreth 25 minuta, një kohëzgjatje jashtë standardeve të zakonshme të formateve televizive. Kjo hapësirë e gjatë reklamash nuk kaloi pa u vënë re nga publiku, duke u kthyer menjëherë në temën kryesore të diskutimeve në platformat sociale si TikTok, Instagram dhe Facebook.

Ndër reagimet më të forta ishte ai i analistit Arjan Konomi, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale e cilësoi situatën një “skandal” dhe pretendoi se ndërprerja e gjatë u bë qëllimisht për t’i mbyllur gojën Spiropalit dhe për të ndalur akuzat e saj ndaj Ballukut.

Sipas Konomit, jo vetëm që blloku publicitar zgjati 25 minuta, por të njëjtat reklama u përsëritën nga tre herë radhazi për të fituar kohë. Ai pretendoi gjithashtu se drejtuesës së emisionit, Grida Dumës, i është kërkuar me presion ndërprerja e bisedës dhe se ka pasur ndërhyrje direkte nga kryeministri Edi Rama pranë drejtueses së televizionit, Lori Hoxha, për të ndalur transmetimin. Sipas analistit, drejtuesit e televizionit u gjendën në një dilemë të vështirë mes ndërprerjes përfundimtare të emisionit dhe vazhdimit të tij, duke vendosur në fund të rikthejnë transmetimin në studio.

Pas rikthimit në studio, Elisa Spiropali vijoi me akuza të drejtpërdrejta, duke e cilësuar Belinda Ballukun si “modelin më i keq i qeverisjes në forcën tonë politike”. Ajo shpjegoi se mosvotimi i saj në Kuvend për heqjen e imunitetit të Ballukut ishte një akt politik kundër këtij modeli dhe kundër shpërndarjes së favoreve politike. Për më tepër, Spiropali e akuzoi Ballukun se njerëzit e saj përdorin institucionet shtetërore për të ushtruar presion dhe shantazh ndaj familjes së saj, duke iu referuar konkretisht kontrolleve tatimore në bizneset e bashkëshortit të saj.

Sipas saj, individë “të pandehur e me dosje” përdorin shtetin përmes gjobave, shantazheve dhe pagimit të portaleve për të sulmuar kritikët.

Gjithashtu, Spiropali pretendoi se është sulmuar direkt përmes drejtorëve dhe ministrave të lidhur me Ballukun. Në mbyllje të denoncimeve të saj, ajo i bëri thirrje të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama që të “divorcohet” nga Balluku dhe modeli i saj, duke e vënë përballë zgjedhjes: “Zgjidh ose Ballukun, ose PS”.

Nga: Gazeta Sot