19 Nëntor 2026

Në një deklaratë zyrtare në OSBE, ambasadori britanik Neil Holland kërkoi zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it për reformën zgjedhore, përfshirjen e opozitës dhe konsultimin me shoqërinë civile. Londra vlerësoi hetimet e SPAK për korrupsionin e nivelit të lartë, por theksoi se pavarësia e institucioneve, procesi i rregullt ligjor dhe llogaridhënia duhet të mbeten në qendër të reformës në drejtësi.
Britania e Madhe i ka dërguar një mesazh klasës politike shqiptare për reformën zgjedhore, forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit, duke kërkuar që përparimi i reformave të shoqërohet me zbatim të qëndrueshëm dhe institucione të pavarura.

Qëndrimi është bërë publik gjatë mbledhjes së Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, ku ambasadori britanik Neil Holland mbajti një deklaratë në përgjigje të raportit të kreut të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorit Michel Tarran.

Në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027, Londra u kërkon drejtuesve politikë dhe institucioneve shqiptare të shfrytëzojnë kohën e mbetur për të adresuar rekomandimet ende të pazbatuara të OSBE/ODIHR-it.

Vëmendje e veçantë i kushtohet financimit të politikës dhe administrimit të zgjedhjeve, dy çështje për të cilat Britania kërkon hapa konkretë përpara procesit të ardhshëm zgjedhor.

“Duke parë drejt zgjedhjeve vendore të vitit 2027, ne inkurajojmë drejtuesit politikë dhe institucionet e Shqipërisë të shfrytëzojnë kohën e mbetur për të adresuar rekomandimet e pazbatuara të ODIHR-it, përfshirë financimin politik dhe administrimin zgjedhor. Reforma duhet të mbështetet në angazhim të mirëfilltë ndërpartiak dhe konsultim kuptimplotë me shoqërinë civile”, deklaroi Holland.

Mesazhi britanik e vendos bashkëpunimin mes forcave politike në qendër të procesit të reformës zgjedhore, duke kërkuar që ndryshimet të mos kufizohen vetëm në diskutimet institucionale, por të përfshijnë edhe shoqërinë civile.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e deklaratës lidhet me reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.

Ambasadori Holland vlerësoi përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të njohur si vetting, në muajin mars, duke e cilësuar atë një moment të rëndësishëm për reformën në drejtësi.

Ai shprehu gjithashtu mbështetjen e Londrës për punën e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), veçanërisht për hetimet që përfshijnë korrupsionin në nivele të larta.

“Mbretëria e Bashkuar është dakord se përfundimi i procesit të vettingut në drejtësi në mars ishte një moment i rëndësishëm. Ne mirëpresim përpjekjet e vazhdueshme të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të hetuar rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Pavarësia institucionale, procesi i rregullt ligjor dhe llogaridhënia duhet të mbeten në qendër të reformave të drejtësisë në Shqipëri”, theksoi ambasadori britanik.

Përfaqësuesi i Londrës nënvizoi se Britania e Madhe do të vijojë bashkëpunimin me institucionet shqiptare për forcimin e shtetit ligjor dhe goditjen e krimit të rëndë e të organizuar, financave të paligjshme dhe rrjeteve kriminale.

Në deklaratë, Holland iu referua edhe ecurisë së përgjithshme të reformave në Shqipëri, duke vlerësuar ambicien e vendit për të vijuar rrugën euroatlantike, por duke theksuar se miratimi i reformave duhet të pasohet nga zbatimi i tyre në praktikë.

“Shqipëria ka vijuar të ndjekë një program ambicioz reformash. Përparimi i Shqipërisë duhet të shoqërohet me zbatim të qëndrueshëm, institucione të forta dhe besim të publikut te qeverisja demokratike”, deklaroi ai.

Britania vlerësoi gjithashtu kontributin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për modernizimin e Parlamentit, transparencën e pronësisë së mediave, masat mbrojtëse kundër korrupsionit dhe alternativat ndaj paraburgimit.

Në përfundim, ambasadori britanik ngriti edhe çështjen e qëndrueshmërisë së reformave, duke pyetur se si Prezenca e OSBE-së do të ruajë përparimin në fushat ku zbatimi mbetet i pabarabartë, ndërkohë që institucionet shqiptare marrin më shumë përgjegjësi për proceset reformuese.