19 Nëntor 2026

Demokratët në Kongres kanë njoftuar hetime për punën e bërë nga ambasadorja e SHBA në Greqi, Kimberly Guilfoyle. Shkak janë bërë raportimet për incidente korrupsioni, abuzimi me pushtetin dhe përdorimi i detyrës qeveritare për përfitime personale financiare.

Kryetari i ardhshëm i Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, Robert Garcia sqaroi se largimi i Guilfoyle nga posti i ambasadorit nuk e ndalon hetimin e Kongresit ndaj po kërkon ruajtjen e të gjitha dokumenteve dhe komunikimeve përkatëse që lidhen me rastin.

Akuzat kanë të bëjnë me transaksione të dyshuara për ndikim politik në këmbim të parave, si dhe me marrëdhëniet e saj të ngushta me biznesmenët grekë të grupit “Aktor”.

“Në veçanti, hetimet do shqyrtojnë presionin që ajo dyshohet se ka ushtruar mbi qeveritë e Ballkanit për t’i dhënë projekte këtij grupi, si dhe akuzat për pranimin e ryshfeteve, dhuratave dhe favoreve luksoze kundrejt kësaj” – thuhet në një shkrim të “Kathimerini”.

Ambasadorja amerikane pati një rol të rëndësishëm në firmosjen e marrëveshjes së nënshkruar në prill 2026 mes kompanisë shtetërore shqiptare Albgaz, grupit grek AKTOR dhe kompanisë amerikane Venture Global.

Sipas kësaj marrëveshje Shqipëria duhet të paguajë 6 miliardë dollarë në 20 vjet për të marrë gaz natyror të lëngshëm (LNG).

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë vetë kryeministri Edi Rama, kreu i grupit AKTOR Alexandros Exarchou dhe ambasadorja Kimberly Guilfoyle, e cila e cilësoi marrëveshjen si “një hap për sigurinë energjetike dhe rolin ndërlidhës të Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor”.

Shqipëria nuk e konsumon dot vetë këtë sasi gazi pasi ende nuk ka treg të brendshëm gazi në atë shkallë. Qeveria thotë se kostoja miliardshe “do mbulohet nga rishitja e gazit në tregjet rajonale”, por janë ngritur shqetësime serioze se kjo kontratë afatgjatë 6-miliardëshe pa pasur asnjë studim fizibiliteti të mirëfilltë dhe as kontrata të mbyllura me blerësit finalë, ka krijuar rreziqe të mëdha financiare dhe potencial për arbitrazhe ndërkombëtare që do t’i bien mbi shpatulla buxhetit të shtetit.