Andi Tepelena: – Gjobat ndaj protestuesve do të ankimohen, presim vendimin e Kushtetueses

19 Nëntor 2026
Përfaqësuesit e protestës së përnatshme kanë dorëzuar një notë proteste pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadave kryesore perëndimore dhe OSBE/ODIHR-it, ku kanë denoncuar, sipas tyre, dhunën dhe pengesat e Policisë ndaj qytetarëve që protestojnë çdo natë në bulevard.
I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Ora e Betit” në Ora News, Andi Tepelena deklaroi se në notën e protestës është vënë theksi te kufizimi i së drejtës kushtetuese për të protestuar. Ai pretendoi se Policia po pengon zhvillimin e protestave, pavarësisht se organizatorët kanë kryer njoftimin përkatës pranë institucioneve.
Tepelena akuzoi gjithashtu Policinë se po vepron me urdhra politikë për të ndaluar protestat e përnatshme, ndërsa i cilësoi gjobat e vendosura ndaj protestuesve si të padrejta dhe një përpjekje për t’i intimiduar ata.
Sipas tij, një grup avokatësh dhe juristësh po merret me kundërshtimin e gjobave dhe mbrojtjen ligjore të protestuesve. Ai bëri të ditur se pritet një vendimmarrje nga Parlamenti dhe Gjykata Kushtetuese lidhur me këto masa.
“Janë gjoba që më shumë tentojnë për të intimiduar protestuesit, që të mos dalin, për t’i frikësuar. U bëjmë apel qytetarëve të mos kenë frikë fare, sepse këto gjoba jo vetëm do të ankimohen, por do të bëhen nul në një moment të dytë”, u shpreh Tepelena.
Në përfundim, ai paralajmëroi se punonjësit e Policisë që, sipas tij, kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve do të mbajnë përgjegjësi penale.