Rezidenca luksoze 500 m² buzë Liqenit të Banjës, a është pasuria e padeklaruar e ministrit Andis Salla?

18 Nëntor 2026
Pas publikimit të detajeve të para mbi bombën e radhës së korrupsionit në kupolën e qeverisë Rama, ku paratë e tenderëve publikë dyshohet se janë shndërruar në saraje luksoze 500 m² buzë Liqenit të Banjës në Gramsh, ngrihet pikëpyetja e madhe: a është ministri aktual i Bujqësisë, Andis Salla, pronari real që fshihet pas kësaj afere? Sipas denoncimeve dhe sinjalizimeve të deritanishme, gazeta “SOT” ka mësuar se dyshimet e forta bien pikërisht mbi emrin e tij, të lakuar për afera me tenderët publikë, skema korrupsioni dhe pastrim parash. Mbetet për t’u vërtetuar nga SPAK nëse është pikërisht Andis Salla zyrtari i lartë që ka përdorur një biznesmen nga Elbasani si mburojë për të fshehur gjurmët e kësaj pasurie të paligjshme.
Nga leja modeste 70 m² te sarajet e paligjshme 500 m²
Buzë Liqenit të Banjës, një nga atraksionet më të njohura turistike në Gramsh, ngrihet kjo rezidencë madhështore që ka kushtuar qindra mijëra euro. E nisur fillimisht si një vilë e zakonshme, pasuria ka përfunduar në një kështjellë luksoze me sipërfaqe rreth 500 metra katrorë, duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin. Për këtë njësi ndërtimore ishte miratuar një leje për një sipërfaqe prej vetëm 70 metrash katrorë, por sipas dyshimeve të ngritura, ministri dhe biznesmeni i tij kanë ndërtuar pa leje pjesën tjetër prej qindra metrash katrorë me para të dyshimta, duke sfiduar hapur çdo rregull urbanistik dhe ligjor.
Biznesmeni nga Elbasani dhe skema e pastrimit të 5 milionë eurove
Sipas portalit “Prapaskena” për të mos lënë asnjë gjurmë në deklaratat e pasurisë, kështjella buzë liqenit figuron e regjistruar në emrin e një biznesmeni nga Elbasani, i cili dyshohet se operon si prestanome i ministrit. Ky biznesmen, i njohur për lidhjet e tij pranë ish-partisë së Ilir Metës dhe me një të kaluar të rënduar me dosje për skema mashtrimi, evazion fiskal dhe ndërtime pa leje, dyshohet se kamuflon në emrin e dy kompanive të tij një pasuri me vlerë mbi 5 milionë euro. Skema e denoncuar është e mirëfilltë korruptive: ministri dyshohet se ka diktuar, manipuluar dhe paracaktuar miliona euro tendera për klientin e tij biznesmen, duke përfituar ryshfet në masën 20 deri në 30 për qind të fondit limit. Këto para të pista dyshohet se janë pastruar më pas duke u investuar në pasuri të paluajtshme në emër të kompanive të prestanomes, me qëllimin e vetëm për t’i shpëtuar veprimit të drejtësisë.
Dosjet e pluhurosura në Elbasan dhe sfida e SPAK-ut
Gjithashtu thuhet se në Prokurorinë e Elbasanit janë hapur dy dosje penale për ministrin. Megjithatë, sipas denoncimeve, të dyja këto dosje të rënda janë bllokuar dhe po pluhurosen qëllimisht nëpër sirtarë përmes ndikimit të paligjshëm dhe korruptimit të segmenteve të drejtësisë lokale. Ndërsa shtohen pikëpyetjet nëse pas kësaj pasurie të padeklaruar fshihet vërtet ministri Andis Salla, e gjithë vëmendja është kthyer tashmë nga Prokuroria e Posaçme. Mbetet për t’u parë nëse SPAK-u do të guxojë t’i tërheqë këto dy dosje nga Prokuroria e Elbasanit dhe t’i heqë përfundimisht maskën zyrtarit të lartë të qeverisë. Në Tiranë, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po mbush shtatë vjet ekzistencë.
Me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, SPAK ka thyer tabunë e pandëshkueshmërisë në Ballkan, duke dërguar pas hekurave ish-ministra, kryebashkiakë, gjyqtarë dhe zyrtarë të lartë. Megjithatë, bilanci financiar i luftës së tij kundër korrupsionit shtetëror është zhgënjyes: ndërsa pasuritë e sekuestruara nga trafiku i drogës dhe krimi i organizuar llogariten në dhjetëra miliona euro në vit, vlera e parave të konfiskuara përfundimisht nga dosjet e korrupsionit të zyrtarëve mbetet në shifra thuajse simbolike. Ndërsa SPAK ka hetuar dhjetëra zyrtarë të lartë, raporti i Komisionit Evropian vëren se vlera e pasurive të sekuestruara nga prokuroria speciale në çështjet e korrupsionit arrin në rreth 1.5 milionë euro, ndërsa paratë e kthyera realisht në buxhet, ato që janë konfiskuar përfundimisht me vendim gjykatë nga dosjet e korrupsionit ka qenë vetëm rreth 100 mijë euro. Brukseli lëshoi alarmin se ky raport është shumë i ulët dhe se zyrtarët e korruptuar po arrijnë t’i shpëtojnë goditjes financiare.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.