36 vite nga rihapja e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, simboli i rikthimit të besimit fetar

Xhamia e Plumbit Shkoder, 16 nëntor 1990
17 Nëntor 2026
36 vite më parë, do të rihapej Xhamia e Plumbit në Shkodër, duke shënuar një ngjarje historike për komunitetin mysliman.
Më 16 nëntor 1990, mijëra njerëz u mblodhën para Xhamisë së Plumbit për rihapjen pas dekadave të ndalimit të besimit nga regjimi komunist.

Ishte Hafiz Sabri Koçi ai që mbajti faljen e parë publike mes emocioneve të mëdha. Më 16 nëntor, qindra qytetarë të Shkodrës iu drejtuan objektit të kultit islam që kishte qëndruar 23 vjet mbyllur.
Në kujtesën e popullit, nëntori i `90-s, mbetet muaji që vrau frikën. Falja e besimtarëve myslimanë, erdhi pas meshës së mbajtur natën e 4 nëntorit në varrezat e Rrmajit nga Dom Simon Jubani.

Xhamia e Plumbit është një ndër veprat më të rëndësishme të arkitekturës në Shkodër në periudhën e sundimtarëve Bushatllij (1773). Ky objekt madhështor, unik në Shqipëri, i stilit turko-arab tregon për nivelin e lartë qe kishte arritur lagjja “Tabake” rrëzë Kalasë, ku me vënien nën kontroll të saj fillon dhe ngritja e Bushatllijve të Shkodrës.

