Britania, Australia, Kanadaja dhe Italia i bëjnë thirrje Izraelit të lejojë hyrjen e ndihmave në Gaza

16 Nëntor 2026
Britania e Madhe, Australia, Kanadaja dhe Italia i kanë bërë thirrje Izraelit të lejojë menjëherë dhe pa pengesa hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, ku situata për popullsinë vijon të jetë shumë e rëndë.
Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e Jashtëm të katër vendeve paralajmërojnë se përmbytjet e fundit kanë përkeqësuar edhe më shumë kushtet e jetesës për banorët, të cilët po përballen me mungesë strehimi dhe furnizimesh bazë, ndërsa territori është goditur edhe nga stuhia e parë dimërore.
Sipas deklaratës, rreth 150 mijë çadra dhe furnizime të tjera jetike ndodhen në kufi dhe presin të futen në Gaza. Katër vendet kërkojnë hapjen e pikave kufitare dhe lejimin e menjëhershëm të ndihmave, duke paralajmëruar se koha për të parandaluar vuajtje të tjera po mbaron.
“Situata mund të ndryshohet dhe ende ka kohë për të vepruar, përpara se dimri të përkeqësojë edhe më shumë kushtet. Pikat kufitare duhet të hapen dhe çadrat duhet të lejohen të hyjnë”, thuhet në deklaratë.
Nga ana tjetër, autoritetet ushtarake izraelite, të cilat kontrollojnë kalimet kufitare të Gazës, kanë deklaruar se po bashkëpunojnë me Bordin e Paqes, të udhëhequr nga SHBA-ja, dhe Kombet e Bashkuara për zbatimin e një plani dimëror. Sipas tyre, në Gaza kanë hyrë deri tani 93 mijë çadra dhe 8.600 kamionë me ndihma dhe pajisje për sezonin e ftohtë.
Megjithatë, autoritetet izraelite kanë theksuar se rindërtimi i Gazës mund të nisë vetëm pasi Hamasi të çarmatoset plotësisht.
Ndërkohë, Kombet e Bashkuara kanë raportuar se përmbytjet dhe një rrëshqitje dheu kanë shkaktuar viktima, kanë dëmtuar mijëra strehime dhe kanë ndërprerë shërbime të rëndësishme për popullsinë.
Edhe Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për krizën humanitare në Gaza, duke i kërkuar Izraelit të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe të garantojë hyrjen e ndihmave për civilët.
Lufta në Gaza nisi më 7 tetor 2023, pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1.200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng. Në përgjigje, Izraeli nisi një ofensivë ushtarake në Rripin e Gazës.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, që prej fillimit të luftës janë vrarë më shumë se 74.690 persona. Shifrat e kësaj ministrie konsiderohen të besueshme nga Kombet e Bashkuara.
Pavarësisht armëpushimit të arritur në tetor të vitit të kaluar, sulmet ajrore izraelite dhe operacionet e tjera ushtarake kanë vijuar pothuajse çdo ditë.
