16 Nëntor 2026

Një incident diplomatik ka ndodhur gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, pasi në aktivitet u interpretua kënga nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”. Sipas programit, në mbrëmjen hapëse të 15 nëntorit ishte parashikuar të performonte Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me grupin slloven “Kapobanda”.

Interpretimi i kësaj kënge ka nxitur reagime të ashpra nga përfaqësuesit e Kosovës, të cilët e konsiderojnë të papranueshme përfshirjen e saj në një aktivitet zyrtar të BE-së.

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj e ka cilësuar ngjarjen skandaloze dhe ka kërkuar shpjegime nga komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, nën drejtimin e së cilës organizohet forumi.

Në një reagim në platformën X, Zulfaj theksoi se kënga lidhet me nacionalizmin serb dhe me periudhën e regjimit të Slobodan Millosheviçit, kur Kosovës iu hoq autonomia dhe popullsia shqiptare u përball me represion. Ai kërkoi gjithashtu të mësojë se si u përzgjodh ky repertor dhe çfarë masash do të ndërmerren nga Komisioni Evropian. Zulfaj ngriti edhe shqetësimin për mungesën e Kosovës në aktivitet.

“Një këngë nacionaliste serbe, që mohon shtetësinë e Kosovës dhe që u shkrua në kohën kur kasapi i Ballkanit, Millosheviqi, po i shfuqizonte të drejtat e Kosovës dhe po e shtypte popullin tonë, u interpretua në hapje të Forumit të Zgjerimit të BE-së. Kjo është skandaloze e papranueshme. Një aktivitet i BE-së për zgjerimin nuk mund t’i japë skenë nacionalizmit serb. Komisioneres Kos ia lëmë të shpjegojë se si ndodhi kjo dhe çfarë masash do të ndërmarrë, si dhe pse Kosova, vendi me përparimin më të madh demokratik në Ballkanin Perëndimor gjatë kësaj dekade dhe plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe vlerat e BE-së, nuk ishte ftuar”, ka shkruar Zulfaj në platformën “X”.

Edhe kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami e ka dënuar interpretimin e këngës, duke argumentuar se ajo përmban pretendime politike dhe territoriale ndaj Republikës së Kosovës. Sipas tij, një këngë e tillë nuk mund të konsiderohet thjesht shkëmbim kulturor, veçanërisht kur interpretohet në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian që synon të promovojë zgjerimin, unitetin dhe marrëdhëniet e mira mes vendeve të rajonit. Bajrami kërkoi një sqarim të menjëhershëm nga Komisioni Evropian dhe komisionerja Marta Kos për mënyrën se si u përzgjodh dhe u miratua repertori muzikor.

“Në koncertin e hapjes së Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, të organizuar nga Komisioni Evropian nën drejtimin e komisioneres Marta Kos, u interpretua kënga nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”. Ky nuk është shkëmbim kulturor. Kënga promovon pretendime të qarta politike mbi territorin e Republikës së Kosovës. Përfshirja e saj në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian, kushtuar zgjerimit, unitetit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, është e papranueshme. Republika e Kosovës pret një sqarim të menjëhershëm nga Komisioni Evropian dhe komisionerja Kos lidhur me mënyrën se si u përzgjodh dhe u miratua ky repertor. Vlerat evropiane, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe besueshmëria e procesit të zgjerimit të BE-së nuk mund të pajtohen me dhënien e një platforme pretendimeve irredentiste kundër një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Bajrami në platformën “X”.