Ura e Vokopolës është ndërtuar mbi përroin e Çorogjafit dhe lidh Vokopolën me fshatin Tërpan. Ura përbëhet nga harku kryesor segment rrethi dhe nga dy harqe më të vegjël bregorë anash. Monumenti futet në tipin e urave me një qemer dhe me një dritare shkarkuese. Ura është me kurriz të theksuar në kyç, gjë që i jep një pjerrësi të madhe kalldrëmit nga të dyja anët.


Nga ana e majtë e urës ndodhet një mbishkrim i cili për arësye të dëmtimit nga koha është i padëshifrueshëm. Në pjesën qëndrore më të lartë të urës, për sigurimin e kalimit të kalimtarëve është ndërtuar një parapet guri me gurë pllakë vendosur këlliç me kollona të ikastuara në qemer çdo 50 cm.


Qemeri është me dy rrjeshta dhe arrin trashësinë 125 cm, kalldrëmi i urës është ndërtuar me gurë pllakë të zinj vendosur këlliç. Për të eleminuar rrëshqitjen gjatë kalimit si pasojë e pjerrësisë së madhe kalldrëmi vende-vende ndërpritet me breza tërthorë që theksohen mbi rrafshin e tij. Nga teknika e parapetit kjo urë është e ngjashme me urat e ndërtuar në kohën e Ali pashë Tepelenës dhe mund t’i përkasë po kësaj periudhe pas vitit 1908 kur pashai i Janinës pushtoi Beratin.