Anulohet zyrtarisht samiti i NATO-s në Tiranë.

Nato
17 Nëntor 2026
NATO nuk do ta mbajë samitin e udhëheqësve në Shqipëri vitin e ardhshëm, siç ishte planifikuar.
Kurse kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama, i cili kishte njoftuar më parë se samiti i 2027 do mbahej në Tiranë, deklaroi të enjten se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët.
“Nuk ka ende një qëndrim të përbashkët se kur do të zhvillohet samiti, por me siguri jo në vitin 2027. Në vitin 2028, nëse do të ketë një samit, ai do të mbahet në Tiranë”, u shpreh Rama.
Shqipëria ishte përcaktuar si vendi pritës për vitin 2027 në vitin 2025, por emri i saj u hoq nga deklarata e samitit të korrikut.
Sipas raportimit të Associated Press, disa vende anëtare kanë shprehur shqetësime dhe kanë hezituar ta shpërblejnë vendin me organizimin e aktivitetit më të rëndësishëm të aleancës.
Qeveria shqiptare parashikohet të shpenzojë këtë vit 2.15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen. Objektivi i NATO-s është që 32 vendet anëtare të shpenzojnë deri në vitin 2035 të paktën 3.5% të PBB-së për mbrojtjen bazë dhe 1.5% të tjera për infrastrukturën e lidhur me mbrojtjen.
A është kjo arsyeja e anulimit? Në fakt Shqipëria nuk është vendi me performancën më të dobët në këtë drejtim. Spanja, Belgjika dhe Sllovenia janë më larg përmbushjes së objektivave të përcaktuara.
Sipas zyrtarëve, NATO-s do t’i duhej të merrte një vendim për Shqipërinë deri në tetor, në mënyrë që vendi të kishte kohën e nevojshme për organizimin e samitit gjatë vitit 2027.
Kjo pasi, përveç çështjeve politike dhe ushtarake, organizimi i një samiti të NATO-s kërkon shpenzime të konsiderueshme dhe përgatitje të gjata.
Për samitin e vitit 2025 në Hagë, Holanda iu desh të përgatitej për rreth një vit dhe të investonte afërsisht 100 milionë dollarë.
Edhe samiti në Turqi kërkoi angazhim të madh logjistik dhe sigurie. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan vuri në dispozicion kompleksin e tij të madh presidencial në Ankara, ndërsa u rikonstruktua një aeroport ushtarak për mbërritjen e liderëve dhe u angazhuan dhjetëra mijëra punonjës të sigurisë. Një pjesë e punonjësve publikë jo të domosdoshëm u lanë pushim për një javë.
“Gjithmonë kërkohet një nivel i lartë sigurie. Është një aktivitet i kushtueshëm organizimi i një takimi me 32 vende anëtare, vendet partnere dhe partnerët e Indo-Paqësorit, si Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re”, tha Rutte për Associated Press.
I pyetur nëse ia vlen gjithë ky angazhim, ai u përgjigj: “Po.”
Në rast emergjencash, NATO ka edhe mundësi të tjera për të mbledhur drejtuesit e saj. Në shkurt të vitit 2022, pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës, aleanca zhvilloi për herë të parë një samit virtual.
gazeta dita
