Monologu i vëllait të Jakup Krasniqit; “Jakup, jam unë, Dauti… – Kur dënohet zëri i heronjve të UÇK-së

Vellai i Jakup Krasniqit
23 Nëntor 2026
“Jakup, që tri ditë po vij te kjo derë. Tri ditë po pres me ta pa fytyrën, me ta ni zanin, me të përqafu. Kjo derë dikur hapej pa trokitë. Por sot, për me hi në shtëpinë teme, duhet me kërku leje”.
Kështu e nisi monologun në Fiks Fare, Daut Krasniqi, 87 vjeç, vëllai i Jakup Krasniqit, i dënuar disa javë më parë padrejtësisht nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ai priti me bastun në dorë prej më shumë se 72 orësh, për të takuar vëllanë, i cili shkoi në Kosovë për shkak të sëmundjes së bashkëshortes.
“Thuaji atij që sot e quan veten zot të kësaj shtëpie se unë nuk jam i huej. Me ty kam pi të njëjtin gji të nanës, në të njëjtin djep jemi përkundë, bukën e kemi nda përgjysmë. Teshat e mia i ke veshë ti, e të tuat unë. Jam Dauti, Jakup. Vëllai yt!”

Ai tregoi në Fiks Fare përjetimet gjatë orëve para banesës së Jakupit. “Kur isha te porta, përfytyrova flokët e tu, fytyrën dhe zanin që dikur më thërriste. Deshta veç me të kapë për qafe e me të thanë: ‘Qysh je, bre vëlla?’. Por u largova, me zemrën copë.

Jo pse nuk deshta me të pa, por pse nuk deshta me të sjellë telashe. Due veç me të pa, me ta shtrëngue dorën, nuk due që vitet e fundit të jetës sime të kalojnë pa ta dhanë edhe një përqafim” tha Dauti, me zërin që i dridhej dhe me lot në sy.
Në fund, ka një tjetër mesazh për vëllanë. “Unë kam me të pritë, vëlla edhe pse jam 87 vjeç”

87 vjeçari me bastun te porta e Jakupit
Pamja e tij u bë virale, pasi me bastun ai u end prej më shumë se 4 ditësh pranë banesës së vëllait, Jakupit. Ai kërkoi me ngulm që të takonte ish zërin e UÇK-së dhe ish-kreun e Parlamentit, kur u shpall pavarësia e Kosovës. Tentativat dështuan. Kjo, pasi mbesa e tij, e kishte telefonuar duke i thënë se takimi mes tyre mund të ndalonte vizitën e babait të saj.
Një vizitë e shoqëruar me emocione të forta, por edhe me dhimbjen e një takimi të munguar. Mes njerëzve të afërt dhe vendit të tij, takimi me vëllain nuk mundi t’a realizonte. Kthimi në Kosovë zgjati pak, por pas vetes la një histori që prek përtej fjalëve.
Sepse përtej proceseve gjyqësore dhe largësisë egziston edhe dhimbja njerëzore, malli familjar. Pamjet e një përshëndetje me dorë nga larg mes Jakupit e vëllait, emocionuan mbarë opinionin publik. Shpërthimi në lot i Daut Krasniqit ishte një moment i fortë emocional.
Nuk pati një përqafim mes tyre, dhe vitet e moshës e rëndojnë edhe më shumë situatën e ndjerë. Sami Lushtaku, kryetar i Komunës së Skënderasit, që përfshin edhe Drenasin, vendlindjen e Jakup Krasniqit, bëri një postim të ndjerë në rrjete sociale.
Jakup Krasniqi u kthye në atdhe, por nuk mundi të përqafohet me Dautin, vëllain e tij. Një moment që mbeti peng i rrethanave, një mall që nuk mori përgjigje dhe një histori që dëshmon se ndonjëherë, dhimbjet më të mëdha nuk kanë nevojë për shumë fjalë.
Jakup Krasniqi një emër që mbart histori, sakrificë, krenari dhe dhimbje. Një njeri që ia kushtoi një pjesë të madhe të jetës çështjes së Kosovës, lirisë, dhe dinjitetit të popullit të tij. Ka njerëz që koha nuk i harron, sepse emrat e tyre janë të lidhur me kujtesën dhe historinë e një populli.
Sepse liria është histori e shkruar me sakrifica, lot dhe shumë mund. Ka emra që nuk janë thjesht pjesë e historisë, por pjesë e shpirtit të një kombi. Njëri prej tyre është Jakup Krasniqi, që la pas Kosovën e tij dhe mori rrugën drejt Hagës.
Kur dënohet zëri i heronjve të UÇK-së!
10 vite e 4 muaj burg në Jugosllavi. Regjimi kriminal në Beograd e dënoi padrejtësisht. Një jetë e kaluar mes përpjekjeve për lirinë e Kosovës! Më pas, zëri, që gjatë luftës, do t’i fliste botës në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky është Jakup Krasniqi, që dikur u burgos me kërkesën që Kosova të bëhej shtet i pavarur dhe demokratik.
Ndërsa shumë vite më vonë, do të drejtonte seancën historike në të cilën Kosova shpalli Pavarësinë.
Sot, prej më shumë se 6 vitesh, ndodhet i burgosur, me një dënim të rëndë mbi shpinë. 25 vite burg nga Gjykata e Hagës!
Por, si nisi historia e tij dhe si u bë, mësuesi i historisë, një nga figurat më të njohura publike të UÇK-së?!
Jakupi lindi në Drenas, në vitin 1951. Shkollën e mesme e kreu në Prishtinë, ku vazhdoi edhe Universitetin për degën e historisë. U rikthye në Drenicë për të dhënë mesim, ndërkohë u angazhua ilegalisht në organizata politike, në përpjekje për lirinë e Kosovës.
Në vitin 1981, studentët u ngritën në demonstratë dhe kërkuan që Kosova të ishte republikë, brenda Federatës Jugosllave. Policia iu përgjigj me dhunë. Jakupi u arrestua në prill. Akuzat ishin të rënda; veprimtari armiqësore kundër sistemit Jugosllav.
Qendroi 10 vite e 4 muaj në disa burgje, në territorin e sotëm të Serbisë. Në vitin 1991 u lirua nga burgu. Nuk e gjeti Kosovën si e la 1 dekadë më parë. Regjimi i Sllobodan Millosheviçit po shtypte institucionet e Kosovës. U rikthye në Drenas dhe vijoi të jepte mësim dhe drejtoi arsimin.
Më pas, në vitin 1997, u angazhua në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në shtabin politik me emërim nga Adem Jashari.
Në vitin 1998, forcat Serbe sulmuan Drenicën, duke shkaktuar shumë viktima. Në mars të atij viti, u sulmua fortesa e familjes Jashari, në Prekaz. Komandanti legjendar humbi jetën. Rezistenca e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare, mori kthesë tjetër. Shumë shqiptarë iu bashkuan UÇK-së. Tashmë, rezistenca kishte nevojë për zë, për t’iu drejtuar shqiptarëve, por edhe botës, për krimet e luftës të serbëve.
Masakrat dhe kërkesat ndaj faktorit ndërkombëtar. Në qershor të vitit 1998, kjo detyrë iu besua Jakup Krasniqit. Më
pas, ai do të shfaqej publikisht!
Me zë, fytyrë, emër e mbiemër, foli në emër të organizatës. Tashmë, ishte zëri që komunikonte qendrimet e Shtabit të Përgjithshëm. Deklaratat u transmetuan në gjithë botën! Nga ai moment, fytyra dhe zëri i tij, u lidhën ngushtë me UÇK-në! Ishte pjesë e delegacionit nga Kosova në Konferencën e Paqes, në Rambuje, Francë.
Paqja nuk u arrit. Forcat serbe vijuan të vrisnin mijëra persona. Qindra mijëra të tjerë u larguan nga
Kosova.
NATO ndërhyri, duke sulmuar objektivat ushtarakë në Serbi. Më pas, forcat e ushtrisë u tërhoqën. Këtu, nisi një kapitull po aq i rëndësishëm i Jakup Krasniqit. U bë deputet, ministër dhe drejtues politik në Partinë Demokratike të Kosovës. Në janar të vitit 2008, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Në datën 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme. Seancën historike e drejtonte Jakup Krasniqi. Në atë seancë, u miratua Deklarata e Pavarësisë.
Më vonë, Jakup Krasniqi ushtroi detyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës, në dy periudha të shkurta disa mujore.
Por, historia ende s’ka përfunduar!
Në datën 4 nëntor të vitit 2020, Jakup Krasniqi, u arrestua me urdhër të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe u dërgua në Hagë. Sëbashku me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, ai u akuzua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Krasniqi i kundërshtoi akuzat dhe deklaroi pafajësinë e tij.
Më datën 16 shtator 2026, trupi gjykues i Dhomave të Specializuara, e dënoi Jakup Krasniqin me 25 vite burgim për krime lufte, ndërsa e shpalli të pafajshëm për akuzën e krimeve kundër njerëzimit. Vendimi i shkallës së parë është kundërshtuar nga mbarë shqiptarët.
Ky rrugëtim i Jakup Krasniqit, përfaqëson historinë e vetë shtetit të Kosovës!
Top Channel