Pazari karakteristik i Krujës shtrihet në të dy anët e rrugës së shtruar me kalldrëm që të çon drejt kalasë së Krujes. Nga vendasit njihet ndryshe me emrin Pazari i Derexhikut. Ky pazar ka funksionuar që prej kohës së Skenderbeut në shek e XV, kur dyqanet e tij arrinin deri pranë hyrjes së kalasë. Dyqanet i kanë muret, tavanet dhe qepenat prej druri.

Këtu turistët kanë rast për të blerë artikuj të ndryshëm të artizanatit si punime në argjend, bakër, alabastër, qëndistari, bizhuteri, filigrame, qylyma etj. Pazari është restauruar në kuadër të 500 vjetorit të lindjes së Skënderbeut.

Zona turistike Pazari i Krujës është cilësuar monument kulture i kategorisë së parë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës së Shqipërisë dhe është një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend në çdo stinë të vitit. Në këtë zonë turistike janë të vendosur tregtarë dhe artizanë që ofrojnë për turistët dhe vizitorët artikuj e sende të ndryshme, duke filluar nga enët e bakrit, qilimat, veshjet me motive kombëtare, qeleshet, aksesorë të ndryshëm me motive kombëtare, suvneire, etj. Në afërsi të pazarit është një xhami e shekullit të XVI-të, e cila është rikonstruktuar nga Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA).

Pazari i Krujës është një destinacion shumë akraktiv për turistët, ku krahas arkitekturës se veçantë ofron edhe shërbime të ndryshme karakteristike dhe historike. Në të gjenden dhjetëra dyqane që ofrojnë një shumëllojshmëri të objekteve dhe që në Shqipëri janë edhe unike.

Artizanati, profesion në zhdukje

Punimi me dorë është e vetmja zeje që mban shumicën e familjeve të kësaj zone. Kohët moderne harruan traditën. Në këto kohë, të rralla janë vajzat që mund të qindisin ose të thurrin një qilim. Vetëm në lagjen e vjetër të Krujës, të duket se ora e së tashmes ka mbetur në Mesjetë. Gra që thurin dhe endin në vegjë, burra që gdhendin drurin, punojnë bakrin, ildisin veshjet kombëtare dhe, në sajë të traditës së vjetër, mbajnë jetën në kohët moderne. Artizanati i harruar rikthehet në këto kohë moderne, më shumë se sa për vendasit, për të huajt.
Të gjithë, me keqardhje, thonë që mjeshtrat janë larguar dhe nuk punojnë më. Shumë prej tyre, pohojnë që është shumë e vështirë dhe e lodhshme të punosh në artizanant, në një kohë kur puna e tyre nuk vlerësohet. Aq më tepër që tregtia ka rënë dhe të paktë janë ata të interesuar që vijnë e blejnë, gjë që ka shkaktuar dhe largimin e mjeshtrave apo dhe largimin e të rinjve dhe të rejave nga profesionet artizanale. Shumë nga punimet artizanale janë prodhime kallpe, ose dhe imitime. Puna krijuese aplikohet vetëm në raste kur njerëzit duan gjëra të cilat i kanë parë në foto e vende të ndryshme, pra të porositura. Artizanatet që ushtrohen aktualisht nga mjeshtrat e punës me dorë janë punimet në gur, kockë, mermer, tapetet dhe qilimat në fill të leshtë, si dhe punimet në bakër e dru, kryesisht objekte për mobilimin e shtëpisë.
Dëshira, mjeshtre në punimin e qilimave dhe tapeteve në fill të leshtë,- thotë se puna i ka ecur mirë dhe ndryshe nga më parë, edhe në Shqipëri njerëzit kanë filluar të preferojnë për mobilimin e shtëpisë qilimat dhe tapetet. Por ajo shqetësohet pasi mendon se të rinjtë dhe të rejat e qytetit të saj nuk kanë dëshirë të ushtrojnë profesionin e artizanatit ndaj ky është një shqetësim për atë vetë. Do të vijë një kohë që unë nuk do të mund të punoj më, dhe kush do ta trashëgojë këtë profesion?!.
Bujari, mjeshtër në punimin e gurit, kockës dhe mermerit, i cili ka rreth 30 vjet që ushtron këtë profesion, thotë se nuk e ka të trashëguar por i ka lindur nga pasioni dhe gjithashtu për fëmijët e tij ai shprehet se: “Tani për tani, unë mendoj që për ta është shumë e rëndësishme të studiojnë, dhe profesionin që unë kam le ta trashëgojnë nëse do të kenë dëshirë. Nuk është se unë kam fitime të mëdha ekonomike me punën që bëj, madje është shumë e lodhshme, dhe do të fitoja më shumë po të ushtroja profesionin tim të vjetër si marangoz, por unë e kam nisur këtë si punë të dyfishtë nga dëshira dhe pasioni. Tanimë puna mjeshtërore artizanale, nuk të jep dorë për të përballuar kërkesat e jetesës dhe ata që e ushtrojnë e bëjnë këtë gjë vetëm ngase nuk kanë mundësi tjetër punësimi.”
Të vjen keq të dëgjosh diçka të tillë, pasi të kesh parë një galeri të tërë me vepra artizanale të bukura, por… Edhe pse me shumë mangësi dhe probleme për të cilat nuk e vret mendjen njeri, pazari i Derexhikut, grumbullon, pasuron tregun me mallra të ndryshme të vjetra dhe të reja, si dhe pret e përcjell vizitorë të shumtë.