12 Maji 2026

Nga: Adrian Thano

Ekuilibri është zgjidhja. Një shoqëri e shëndetshme nuk duhet as të adhurojë miliarderët si perëndi dhe as t’i trajtojë këta si armiq publikë. Pasuria duhet të mbajë përgjegjësi, taksa duhet të mbetet instrument ekonomie.

Këtu vijmë te përshtatja e këtij debati në aktualitetin shqiptar. Nëse në SHBA flitet për “kapitalizëm agresiv”, tek ne flitet për një ekonomi që lëviz mes informalitetit, monopoleve dhe një shtrese të re me pasurim të shpejtë, e cila nuk ka lidhje me ciklet klasike të punës.

Marrim paradoksin e kullave dhe shtëpive bosh. Ashtu si në New York me propozimin e Mamdanit për pied-à-terre, edhe në Tiranë shohim një fenomen të ngjashëm. Një vrull ndërtimi të luksit ndërkohë që kërkesa organike për strehim është në krizë.

Shumë nga këto pasuri nuk ndërtohen e as nuk blihen për të jetuar, por për të “parkuar” kapitalin me burime të errëta. Politika nuk i takson këto prona që rrinë bosh. Në këtë mënyrë ajo praktikisht subvencionon rritjen artificiale të çmimeve, duke e bërë të pamundur blerjen e një shtëpie për një çift të ri që jeton ndershmërisht me rrogë.

Sigurisht ka diferenca të dukshme me tregun amerikan. Në Shqipëri, pasuria e madhe nuk vjen nga inovacione në treg apo histori të ngjashme. Paraja e pistë e më pas aksesi te burimet publike është versioni shqiptar i akumulimit të pasurive pa punë të palodhur. ​Pasurimi nga ndryshimi i destinacionit të tokës apo nga lejet e ndërtimit është një tjetër formë. Pra vlera krijohet nga “firma e zyrtarit” dhe jo nga djersa e sipërmarrësit. Në këto kushte taksimi i saj është edhe një kthim borxhi ndaj shoqërisë.

Gjithsesi, për sa kohë ne kemi ende pa zgjidhur dallimin mes kapitalit etik dhe kapitalit klientelist, debati nuk është sa të larta t’i kemi taksat, por cilin lloj pasurimi duam të inkurajojmë.

Nëse taksojmë rëndë punën dhe lehtë pasurinë pasive (ndërtimet, qiratë, koncesionet), ne po u themi njerëzve me ide biznesi: “Gjej një rrugë të jesh pranë pushtetit”, dmth afër thesit. Kjo na con prapë te vdekja e meritokracisë për të cilën kemi shkruar shpesh.

Ka edhe diçka tjetër në Shqipëri. Marrëdhënia me taksat. ​Në mentalitetin tonë kolektiv ekziston ende ideja se paratë që vidhen në tendera apo koncesione janë “paratë e shtetit”, një entitet abstrakt, i largët dhe madje armiqësor. Mua më duket se ende nuk e perceptojmë dot në masë qytetare që çdo lek i abuzuar është orë pune jona, është djersë që i është hequr tavolinës së familjes.

​Pse ndodh kjo? Pse e kemi të zbehtë ndjenjën e pronësisë mbi ato para? Kjo meriton debat më vete. Por në vendet me demokraci të konsoliduar, taksa kuptohet si një faturë për shërbimet. Unë paguaj, unë kërkoj llogari për trotuarin, shkollën, spitalin. Tek ne, qytetari e sheh taksën si një “gjobë” që duhet hequr qafe, jo si një investim.

Por sa më pak të kuptojë publiku se si funksionon buxheti, sa kushton një kilometër rrugë realisht dhe sa përqind e taksave shkojnë atje dhe sa këtu, sa për interesa borxhi, etj aq më e lehtë është që të manipulohet. Reagimi ndaj vjedhjes do ishte ndryshe nëse njerëzit do kuptonin më qartë rrugëtimin se si taksat e tyre ushqejnë miliarderët e krijuar me firma zyrtarësh.

Pa këtë qartësi, shoqëria është turmë që pret radhën për t’u vjedhur, ose radhën për të vjedhur diçka vetë.

——

Marrë nga rubrika e bashkëbisedimit të Kryeredaktorit me lexuesit, cdo ditë në faqen 2, versioni print i gazetës. Argumenti ka të bëjë me pyetjen e lexuesit Gani USA pse në Tiranë qeveria socialiste nuk ndjek shembullin e Mamdanit lidhur me taksimin e apartamenteve bosh për të nxitur shitjen dhe uljen e çmimeve

Huazuar me shkurtime nga Gazeta Dita.