Tjetër ngjarje në SHISH, eksperti: – Hakerat e “Homeland Justice” publikojnë numrat e agjentëve

28 Shtator 2026
Eksperti i sigurisë kibernetike Besmir Semanaj ka denoncuar publikimin e listave të numrave të telefonit të agjentëve të SHISH nga grupi i hakerëve “Homeland Justice”, duke e cilësuar këtë si një rrezik serioz për sigurinë kombëtare dhe jetën e operativëve.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve kompetente të konfirmojnë vërtetësinë e të dhënave dhe i ka kërkuar publikut të mos i shpërndajë më tej këto materiale.
Reagimi:
Në një moment kur SHISH ndodhet tashmë në qendër të një prej krizave më të rënda institucionale të viteve të fundit, grupi i hakerëve “Homeland Justice” ka publikuar materiale ku pretendohet se ndodhen fatura dhe lista të gjata numrash telefoni, që dyshohet se lidhen me punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Nëse këto të dhëna konfirmohen si autentike, atëherë nuk kemi të bëjmë thjesht me një rrjedhje të zakonshme informacioni. Kemi të bëjmë me një çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë e agjentëve, të burimeve dhe të operacioneve të një institucioni të inteligjencës.
Kërkoj që SHISH-i dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të deklarojnë publikisht nëse materialet janë autentike dhe çfarë masash janë marrë për mbrojtjen e personave të prekur.

I kërkoj gjithashtu çdokujt që i ka këto materiale të mos i shpërndajë. Çdo shpërndarje e mëtejshme i shërben pikërisht qëllimit të atyre që i publikuan.
Nga: Gazeta Dita
