28 Shtator 2026

Nga Dori Xhima

Një raportim i përhapur ditët e fundit ka rikthyer në qendër të vëmendjes Mirel Mërtirin, një nga personat kyç të shpallur në kërkim ndërkombëtar për aferën e inceneratorëve. Mërtiri po përgatit një intervistë mediatike ekskluzive nga arratia. Vëmendjen kryesore e ka marrë një provë materiale, një USB e dorëzuar te një producent dhe gazetar i njohur austriak.

​Sipas fragmenteve investigative të bëra publike nga gazetarët në terren (përfshirë një sekuencë të publikuar nga gazetarja Lindita Çela), gazetari austriak Füssel shfaqet duke pyetur dëshmitarin se çfarë përmban pajisja e vogël elektronike. Përgjigjja e tij është:

​- “Aty janë të gjitha të dhënat, të gjitha pagesat… Ke emra, shumën e parave, ke të dhëna dhe ke edhe arsyet se pse janë paguar këto para tek ata…”

​Dyshimet me të forta janë se brenda kësaj USB-je ndodhet vizatimi i plotë i skemës financiare të inceneratorëve, transaksionet e fshehura në llogari off-shore, si dhe emrat e zyrtarëve të lartë shqiptarë që kanë përfituar nga këto pagesa. Mërtiri, i cili për një kohë të gjatë ka zgjedhur heshtjen, duket se po përdor kanalet austriake për të shpërfaqur kartat e tij përballë presionit në rritje nga SPAK.

​Fjalimi i Ramës në Rinas, përgatitje e opinionit?

Një pjesë e fjalimit të kryeministrit Edi Rama dje në Rinas është një përpjekje paraprake për të amortizuar goditjen e pritshme nga kjo intervistë, zhvlerësimin e “narrativës” dhe “trillimeve” që pritet të publikohen. Veçanërisht pjesa ku ka folur për “firmë të hedhur direkt nga ai” kundrejt “përfitimeve nga unë apo familja ime” apo për dhurata orësh luksoze që sipas Ramës “i ka dorëzuar në shtet”.

Dokumentet dhe të dhënat e kësaj USB-je do të publikohen në dokumentarin e paralajmëruar austriak. Nga vërtetësia e tyre do të varet nëse kjo intervistë dhe kjo USB do jenë pika e kthesës që do të zbardhë përfundimisht se ku përfunduan milionat e inceneratorëve.

Nga paraja publike janë paguar disa qindra milionë euro për një sistem inceneratorësh që duhej të zgjidhte krizën e mbetjeve dhe të prodhonte energji, ndërsa përfundoi duke prodhuar një nga hetimet më të mëdha të korrupsionit në historinë e vendit, me ministra, ish-zyrtarë të lartë dhe biznesmenë nën akuzë ose në procese gjyqësore.

Gazeta DITA