Një tjetër “nuk di gjë, s’kam faj”

27 Shtator 2026
Kryeministri na shpjegoi se si ai nuk ka asnjë mundësi të dijë se çfarë bëjnë vartësit e tij “nën rrogoz”. Nuk mund t’u lexojë mendjen, nuk mund t’i përgjojë, e as nuk mund t’i parashikojë “tundimet e pushtetit”. Me pak fjalë, kemi një udhëheqës që emëron gjithë piramidën e shtetit, por zbulon se çfarë bëjnë ata vetëm kur lajmi del te “tezgat mediatike”.
Nga Migena Aleksi
Edhe për skandalin e SHISH, Kryeministri përsëriti formulën e njohur: Ai emëron, ai promovon, ai lavdëron, por kur shpërthen skandali ai nuk di asgjë. Me këtë version të ngjarjeve, shqiptarëve u kërkohet të besojnë se për vite me radhë vartësit nuk i kanë ngrënë vetëm dardhat pas shpine, por gjithë bahçen e shtetit
Sapo zbriti nga aeroplani i linjës Nju Jork – Tiranë, me pluhurin e diplomacisë globale ende mbi këpucë, Kryeministri nuk e pati me ngut të shkojë në shtëpi. Në vend të kësaj, zgjodhi të vendosë një foltore te improvizuar në pistën e Rinasit, për t’u shpjeguar shqiptarëve diçka që tashmë është kthyer në zakon shumëvjeçar. Pse ai, përsëri, nuk ka asnjë faj.
Këtë herë është ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ Shtetëror një emërim personal i tij, i mbrojtur me ngulm dhe me superlativa që kapnin retë. Si në çdo rast të mëparshëm, kur bien ministra, zëvendëskryeministra, kryetarë bashkish e drejtorë të përgjithshëm, faji mbetet jetim, përgjegjësia është “individuale”.
Kryeministri na shpjegoi se si ai nuk ka asnjë mundësi të dijë se çfarë bëjnë vartësit e tij “nën rrogoz”. Nuk mund t’u lexojë mendjen, nuk mund t’i përgjojë, e as nuk mund t’i parashikojë “tundimet e pushtetit”. Me pak fjalë, kemi një udhëheqës që emëron gjithë piramidën e shtetit, por zbulon se çfarë bëjnë ata vetëm kur lajmi del te “tezgat mediatike”.
Kryeministri po na vë përpara një alternative groteske. Ose ka ndërtuar dhe mbrojtur për vite njerëz të papërshtatshëm në postet më të ndjeshme të shtetit, ose nuk ka pasur idenë çfarë ndodhte në sistemin që drejton prej më shumë se një dekade. Pra, ose përgjegjësi politike, ose paaftësi politike. Nuk mund të shpëtojë nga të dyja njëherësh.
Por ai ka ndërtuar doktrinën më komode të qeverisjes në rajon. Meritën për çdo arritje, çdo investim e çdo reformë e ka vetëm ai. Faji për çdo aferë, çdo korrupsion e çdo dështim skandaloz mbetet një çështje thjesht private mes individit dhe drejtësisë. Emrat e viktimave politike ndryshojnë, refreni mbetet i pandryshuar: “Unë bëra shtetin, ata hëngrën dardhat”.
Siç thotë me të drejtë, një kolegu im, me këtë version të ngjarjeve, KM-ja, jo vetëm po na thotë që nuk është i korruptuar, por leshko. Po na propozon edhe që të jemi të gjithë leshko, pra të besojmë se për vite me radhë, atij nuk i paskan ngrënë vetëm dardhat pas shpine. I kanë marrë pemët, bahçen, gardhin dhe të gjithë shtetin. Kurse ai thjesht nuk e dinte.
Madje, shqetësimi kryesor nuk është pse kreu i shërbimit sekret ra në shkelje të ligjit, por pse gazetarët e morën vesh dhe po e diskutojnë nëpër studio. Fajtorët e vërtetë qenkan “zëdhënësit informalë” dhe mediat që “dehumanizojnë” zyrtarët, e jo mekanizmi që lejon poste të tilla deri te ata me ndjeshmëri të lartë kombëtare të përfundojnë nën hetim penal.
Deri sa të dalë skandali i radhës, udhëheqësi do vazhdojë rrugën me kokën lart, si e thotë ajo fjala, i dhj…rë, por krenar. Siç na e kujtoi edhe vetë, ai është këtu për të bërë histori, jo për të mbajtur përgjegjësi.
