“Dorëheqje ose pranga! Rama s’ka rrugë tjetër”.

27 Shtator 2026
Avokati Agred Tafaj ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama pas skandalit të ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke deklaruar se kreu i qeverisë ka tentuar të shmangë përgjegjësinë politike dhe morale, referuar video mesazhit të shpërndarë nga kreu i qeverisë.
Sipas Tafajt, aktualisht nuk ka një akuzë zyrtare ndaj kryeministrit, por përgjegjësia e një kryeministri, sipas tij, nuk kufizohet vetëm te ajo juridike.
“Rama tentoi të fshehë nën përgjegjësinë e shtetit, përgjegjësinë individuale. Zyrtarisht nuk kemi një akuzë ndaj kryeministrit, por përgjegjësia individuale nuk është vetëm juridike, por edhe morale dhe politike”, deklaroi avokati.
Tafaj u shpreh se, në këndvështrimin e tij, Rama kishte një moment të përshtatshëm për të dhënë dorëheqjen, veçanërisht pas shkarkimit të drejtueses së SHISH.
“Këtë të fundit, kishte një moment shumë të mirë sot që të jepte dorëheqjen.
Prisnim një zyrtar më serioz. Në një kohë kur drejtuesen e SHISH e shkarkoi. Por kush ishte personi që e emëroi? A kaloi në një proces verifikimi?”, tha ai.Avokati kritikoi qëndrimin e kryeministrit, duke pretenduar se Rama po përpiqet të largojë përgjegjësinë nga vetja për zhvillimet e fundit.
“Ajo që pamë është e kundërta, një kryeministër që kërkon të heqë përgjegjësinë nga vetja. Kemi një protestë që ka 120 ditë që artikulon të njëjtat kërkesa, që Rama i bën të kalojnë në vesh të shurdhër. Çfarë mund të presë më tepër Rama? Kur është momenti që mund të japësh dorëheqjen?”, u shpreh Tafaj.
Duke iu referuar zhvillimeve të viteve të fundit, avokati deklaroi se përgjegjësia politike e kryeministrit bëhet më e madhe sa herë që zyrtarë të emëruar gjatë qeverisjes së tij përballen me probleme apo akuza.“Ku mban peshën e llumit dhe papërgjegjshmërisë, atje rënia jote do të jetë e rëndë. Rënia e të gjithë personave që për 13 vite zyrtarë të tu bien një nga një, rënia jote do të jetë tronditëse”, deklaroi ai.
Tafaj komentoi edhe paraqitjen e kryeministrit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke e cilësuar atë si të papërshtatshme.
“Rama në OKB mu duk fëmijëror, si fëmijë i tregon botës hallet e shtëpisë tënde”, tha avokati.
Sipas tij, Rama nuk u paraqit në nivelin që duhet të kishte një zyrtar dhe politikan, ndërsa e akuzoi se gjatë qeverisjes së tij është dëmtuar, sipas tij, funksionimi dhe morali i institucioneve shtetërore.
“Rama nuk u tregua zyrtar dhe politikan, por në shtetformim e ka shkatërruar shtetformimin shqiptar. Ka ulur moralin e shtetit dhe qytetarit në nivelin më të ulët”, u shpreh Tafaj.
Tafaj deklaroi se kryeministri duhet të përballet me përgjegjësinë politike për gabimet e qeverisjes së tij dhe të dalë përballë qytetarëve.
“Duhet të kishte një moral t’i dilte përballë qytetarëve e të thoshte: do të mbaj përgjegjësi për gabimet e mia. Rama me tepër tmerr ka sot zërat kritikë”, përfundoi Tafaj.
Mbi faktin që Vuçiç dha dorëheqjen dhe Rama nuk e jep avokati tha: Vuçiç është shembulli më i thjeshtë e i qartë që Rama ti tregojë vetes se afati i tij politik do të ketë një fund.
Nëse mbron në mënyrë abuzive korrupsionin, rënien e shtetit si në rastin e Vlora Hysenit, politikanë të ndryshëm që nuk ia heqin imuniteti… Ka në dorë nëse do të ikë si i arrestuar apo si një politikan që u përpoq, dështoi dhe pranoi dështimin.
