Në një takim me gratë aktiviste, kandidati i djathtë për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova përsëriti edhe një herë se parimi i tij në jetë ka qenë ndihma për të tjerët. “Fushata ime është punë dhe jo fjalë, – tha Kosova. – Do të ketë transparencë për qytetarët. Me punë të përbashkët, shumë gjëra të pamundura do t’i bëjmë të mundura. Plagët e shoqërisë do fillojmë t’i kurojmë aty ku dhembin”.
Më pas, Kosova i bëri thirrje qeverisë të kujdeset dhe të ndihmojë familjet që ndodhen prej vitesh të strehuara në ish-konviktin e Universitetit Bujqësor në Kamëz.
“Qeveria i ka hequr dritat dhe ujin familjeve në konviktin e Universitetit Bujqësor në Kamëz ngaqë nuk kanë shlyer detyrimet ndaj shtetit, por unë i pashë vetë ata dhe të gjithë jetojnë në varfëri të plotë. – vazhdoi Kosova. – Një gjë që nuk ia ka bërë asnjë pushtues një populli tjetër jo më popullit të vet. Prandaj i bëj thirrje qeverisë të reflektojë dhe të marrë menjëherë masa”.