Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, u takua me banorë të zonës së Tufinës, ku u foli për projektet e tij por dhe për parimet e qeverisjes, si transparenca e mbikëqyrja. “Kam hasur probleme, kam shtrënguar duar, që të dyja palët do mbikëqyrim çdo lloj pune që bashkia do bëjë, çdo lloj projekti që do jetë për ju. Secili nga ne do bëjmë që të gjitha fondet, të gjitha projektet që do nisen nga Bashkia e Tiranës në drejtimin tuaj, të mos bëhen sebep për të prodhuar ndonjë shtëpi apo vilë rrugës, por të gjitha të vijnë 100% aty ku ju keni nevojë.
Dhe kush më pengon mua për ti ndjekur hap pas hapi, bashkë me ju, që ato lekë erdhën tek ju apo jo?”, tha Kosova. Kandidati për kryebashkiak, tha se do të jetë rigoroz dhe nuk do të tolerojë shkeljen e kontratave dhe afateve. “Kush nuk zbaton afatet, kokërr leku nuk ka për të marrë nga unë. Ka ardhur koha, më shumë se kurdoherë tjetër, që banorët e Tiranës të vlerësojnë njeriun e sprovuar, njeriun me provë, njeriun e ndershëm dhe jo njeriun partiak të falsifikuar, të parafabrikuar dhe që i jepet qytetarëve jo për t’u shërbyer atyre”, tha Kosova. Kosova u ndal tek programi i tij për të krijuar lehtësi për biznesin. Gjithashtu ai theksoi planin e tij për të siguruar transparencë dhe komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët.
“Kemi planifikuar tre numra falas në mënyrë që t’i vëmë nën kontroll të gjitha shërbimet që Bashkia do ketë në dispozicionin tuaj dhe duke i vënë në kontroll, kontrolli i përbashkët do bëjë që çdo njeri që do jetë përkrah meje dhe unë personalisht do marr duartrokitje nga ju, ose do marr fishkëllima. Duartrokitjet apo fishkëllimat do të jenë orientuese çfarë po bëj mirë dhe çfarë duhet rregulluar”, tha Halim Kosova.