Nga Hekuran Sokoli, KlanKosova.tv 

30 Nentor 2022

“….J. Brahaj: – Lajmi për shpalljen e xhubletës shqiptare si monument të trashëgimisë botërore është i gëzueshëm dhe na bën krenarë” …

Një ditë pas festimit të 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarëve si pasardhës të ilirëve iu dha lajmi se xhubleta është pranuar në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Historia na mëson se xhubleta si veshje tradicionale e grave shqiptare, është e vjetër katërmijë vjet. Ajo është përdorur nga gratë e Shqipërisë së Veriut, Kosovës, dhe nga nje krahine e Malit të Zi.

Ka dy lloje xhubletash. Njëra është e ngushtë dhe tjetra e gjerë. Për sa i përket ngjyrave, sot përdoren vetëm dy sosh: e bardha për vajzat e pamartuara dhe ajo e zeza me qendisje me ngjyra për të martuarat.

Specialisti i trashëgimisë kulturore, Jaho Brahaj, në një përgjigje për Klankosova.tv, thotë se me përfshirjen e këtij kostumi në listën e UNESCO-s, edhe një herë dëshmohet se vetëm pak po të lëvizin administratat burokratike, organizmat botërorë janë të gatshme që t’i përkrahin dhe mbështesin shqiptarët.

Jaho Brahaj – specialist i trashëgimisë kulturore

“Lajmi për shpalljen e xhubletës shqiptare si monument të trashëgimisë botërore është i gëzueshëm dhe na bën krenarë. Edhe një herë dëshmohet se vetëm pak po të lëvizin administratat burokratike, organizmat botërorë janë të gatshme të na përkrahin dhe të na mbështesin. Por, këtu fillojnë detyrimet e neve shqiptarëve. Statusi është ‘Xhubleta pasuri botërore në rrezik…’. Kam pak optimizëm se ne do t’i kryejmë detyrat. Megjithatë lajmi na bën krenarë se të parët tanë na kanë lënë trashëgimi dhe vlera të qytetërimit botëror”.

“Përvoja ka treguar se shumë ngjarje të organizmave dhe shteteve për etninë tonë i kemi shpërfillur, shpesh duke i harruar, por i përmendim vetëm kur duam të tregojmë në mënyrë folklorike se ‘jemi kombi i parë, e themeli i fillimit të botës’, e trasta bosh për punë. Kjo për administratë shtetërore. Po të jemi seriozë, kjo ngjarje është shumëdimensionale në të mirë të njohjes dhe respektit të të tjerëve ndaj nesh”.

Tutje, ai shtron nevojën që edhe dukuri të tjera shqiptare të futen nën mbrojtjen e UNESCO-s. Ai përmend “Vallen e Osman Takës”, “Cylen Dyjare” dhe “Veshjen e Hasit” si tri gjëra që urgjentisht duhet të futen nën ombrellën e kësaj organizate.

Një grua e veshur me xhubletë

“Qytetërimi iliro-arbëror i etnisë tonë na ka lëne pasuri të paçmueshme dhe ne as nuk i vlerësojmë, por ne një herë edhe i përçudnojmë. Dihet zhurma dhe puna për t’u futur në UNESCO e Epikës Shqiptare (Cikli i Kreshnikëve, por ka dhe shume te tjera). Ne krenohemi se u përfshi xhubleta. Por, të mos harrojmë se fqinjët dhe shumica e popujve e kanë kaluar këtë fazë. Për shembull, Bullgaria ka një listë pa fund të trashëgimisë të pranuara nga UNESCO. Këto vite kur ne prisnim për xhubletën, ajo priti dhe realizoi një prralle-kërcim të fëmijëve”.

Cylja Dyjare

“Ne shqiptarët pa përjashtuar si emergjencë Epikën Legjendare, po të pyetesha unë, është ‘Vallja e Osman Takës’ dhe Instrumenti muzikor ‘Cylja Dyjare’. ‘Cylja Dyjare’ është e dokumentuar në Ballkan që para 2500 vitesh dhe sot ruhet dhe bën jetë aktive në Shqipëri, në zonën e Labërisë dhe zonat kufitare me të. Po kështu duhet të përfshihet një veshje te Hasit – Zym – veshje e vetme në Evropë që si aksesor ka ende edhe pjesë prej druri. Edhe struktura e saj është tipologjikisht shumë, shumë e lashtë. Tani ka filluar të deformohet dhe ishte ndërruar materiali nga punohet”.

Kujtojmë se edhe xhubleta shqiptare konsiderohej si një kostum i cili rrezikonte të humbiste. Tani me përfshirjen e saj në UNESCO, ajo do të mbrohet dhe njëkohësisht do të prezantohet nëpër botë edhe trashëgimia shqiptare.

Ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti, ka bërë të ditur dje se xhubleta shqiptare është pranuar në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Përmes një videoje që ajo e ka publikuar në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se një thesar që në vrullin e kohës po rrezikonte të humbiste, tashmë është bërë pasuri e gjithë njerëzimit, njofton Klan Kosova.

“Nga kryeqendra e Marokut, Rabat, po ndaj me ju një lajm shumë të mirë. Komiteti Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jo-materiale sapo miratoi në formë unanime shpalljes e xhubletës dhe dijebërjes së saj si pjesë të listës së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në mbrojtjen e UNESCO-s”.

“Një thesar që në vrullin e kohës po rrezikonte dita e ditës të humbiste, por ne nuk duhet të lejojmë që xhubleta të mbetet thjeshtë një relikte e së shkuarës”.

Sipas saj, me përfshirjen e xhubletës në këtë listë, ajo do të ketë të gjithë mbështetjen, jo vetëm të institucioneve shqiptare, por tashmë edhe të atyre ndërkombëtare që do ta trajtojnë xhubletën si pasuri e të gjithë njerëzimit”.

“Për të ardhur në këtë ditë të sotme, janë dashur vite të tëra pune dhe gjej rastin të falënderoj çdo specialist, çdo bashkëpunëtor, çdo bartës të dijebërjes së xhubletës që pakursyer kanë ndihmuar që jo vetëm ta plotësojmë një copëz dosje aplikimi, por t’i tregojmë mbarë botës një copëz shqiptarie”, u shpreh ministrja shqiptare e Kulturës.

Xhubleta shqiptare