14 Tetor 2026

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka bërë me dije se ka vizituar në spital njërin nga studentët që u dhunua nga policia pas tensioneve dhe përplasjeve gjatë protestës përpara godinës së ministrisë së Arsimit.

Në një reagim në rrjete sociale, Tabaku ka ndarë një video të të riut të lidhur me pranga pas një porte, ndërsa shton se e ka vizituar në spital, ku sipas saj, kishte shenja të dukshme të një trajtimi çnjerëzor.

Tabaku shton se rinia ka ngritur zërin për atë që ndjen shumica e qytetarëve për qeverinë e Edi Ramës dhe sistemin e tij që i shërben pakicës.

“Rinia sot shpreh me zë dhe me protestë atë që ndjen shumica e heshtur e shqiptarëve: neverinë ndaj një sistemi të kalbur, që nuk ka më as moral dhe as vlera për të qeverisur. Mllefin ndaj një sistemi të ngritur për t’i shërbyer pakicës, ndërsa shumica shpërfillet dhe dhunohet barbarisht!”, shkruan ajo.

REAGIMI I PLOTE:

Kevinin e takova sonte në spital, me shenjat e dukshme të një trajtimi çnjerëzor.

Rinia sot shpreh me zë dhe me protestë atë që ndjen shumica e heshtur e shqiptarëve: neverinë ndaj një sistemi të kalbur, që nuk ka më as moral dhe as vlera për të qeverisur. Mllefin ndaj një sistemi të ngritur për t’i shërbyer pakicës, ndërsa shumica shpërfillet dhe dhunohet barbarisht!

Ky është sistemi: i dobët me të fortët, i fortë me të dobëtit!

Ka vetëm një rrugë: përballje me këtë sistem dhe rrëzim të tij përmes protestës dhe bashkimit qytetar. Për një qeveri të qytetarëve dhe për qytetarët!