Associated Press: – Shpërthejnë protestat në Tiranë. Kërkohet dorëheqja e Edi Ramës

28 Nëntor 2026
Përplasjet mes policisë dhe protestuesve nisën të shtunën në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, ku mijëra njerëz dolën në rrugë për të kërkuar largimin e Ramës, në protestën e fundit të një serie të gjatë tubimesh kundër qeverisë.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit, të cilët hodhën gurë dhe përdorën shkopinj druri në përpjekje për të thyer kamerat e sigurisë në rrugë dhe xhamat e ndërtesave qeveritare.
Në protestë morën pjesë shqiptarë nga qytete të ndryshme të vendit, si dhe nga jashtë tij. Tubimi u zhvillua në përvjetorin e 114-të të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, një ditë që zakonisht shënohet me festime kombëtare dhe është pushim zyrtar. Policia u vendos përgjatë rrugëve kryesore që lidhin kryeqytetin me pjesën tjetër të vendit, duke kryer kontrolle të automjeteve.
“Kam ardhur posaçërisht për protestën”, tha Arian Lleshi, 33 vjeç, i cili udhëtoi drejt Tiranës nga Mbretëria e Bashkuar. “Pse? Sepse kemi vuajtur për shumë kohë. Jemi shpërndarë në të gjithë Europën dhe në mbarë botën dhe është sikur të jemi qytetarë pa shtet. Ndihemi si njerëz pa atdhe.”
Protesta e së shtunës ishte pjesë e një serie demonstratash që nisën në fund të majit, fillimisht të nxitura nga kundërshtimi ndaj një projekti të madh turistik luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë.
Protestat u njohën si lëvizja “Flamingo”. Në shtator, atyre iu bashkuan edhe protestat studentore, disa prej të cilave përfunduan në dhunë. Studentët kërkonin përmirësimin e arsimit dhe të kushteve të jetesës. Ndërkohë, kërkesa kryesore e protestuesve u zgjerua dhe tashmë përfshin edhe dorëheqjen e Ramës.
Protestuesit brohorisnin “Dorëheqje!” ndërsa mblidheshin në sheshin kryesor të Tiranës, në Sheshin Skënderbej.
“Ne kemi dalë për të kërkuar të drejtat tona. Na ka ardhur në majë të hundës. Jeta është bërë shumë e vështirë. Kërkojmë ndryshimin e gjithë sistemit”, tha studentja Juna Vasili. Suzana Gjeta, një pensioniste, tha se po protestonte si në emër të të rinjve, ashtu edhe të njerëzve si ajo, “që jetojnë vetëm me 120 euro në muaj”. “Shpresojmë që ky sistem të largohet, që Edi Rama të ikë dhe që korrupsioni të marrë fund”, u shpreh ajo. / AP –