Deklarata e ambasadorit të SHBA vë në alarm politikën
27 Nëntor 2026
Paralajmërimi i fortë i ambasadorit amerikan në Tiranë, Eric Wendt se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) do t’i dorëzojnë Prokurorisë së Posaçme (SPAK) çelësat e serverëve për milionat offshore dhe kriptomonedhat duket se ka “hedhur në erë” skenën politike në Shqipëri, teksa politikanët dhe zyrtarët e korruptuar nisin fshirjen masive të gjurmëve në e-maile, WhatsApp e SMS nga frika e prangave. Ky denoncim është bërë publike ditën e djeshme nga kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i cili nga foltorja e Kuvendit ka akuzuar mazhorancën për përpjekje për të fshirë gjurmët e komunikimeve elektronike, pas deklaratave të ambasadorit amerikan.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Shehaj u shpreh se përfaqësuesit e qeverisë janë shqetësuar nga paralajmërimi për gjurmët që mund të kenë lënë në serverat e kompanive amerikane. “Këtu, po t’ju dëgjoni ju, t’ju dëgjojmë duke qenë të fortë, duke qenë të plotfuqishëm. Por në fakt, e dini shumë mirë që ju ka ardhur fundi. Dje foli ambasadori amerikan, apo nuk e dëgjuat? U terrorizuat. Panik. Keni filluar, çfarë tha ambasadori amerikan? Ai tha shumë gjëra, por gjëja që u bëri që të dridheni u tha: “Keni lënë gjurmë në serverat e kompanive amerikane.”
Gjurmët janë aty. Gjurmët e vjedhjeve tuaja janë aty. Nuk keni çfarë të bëni. Janë aty. Besoj keni kaluar ditën dje duke fshirë email-e, WhatsApp-e, SMS, s’dini çfarë bënit. Apo jo? Apo jo? Nuk keni nga ia mbani. Po të vish në Kuvend, është, shikon pamjet jashtë, polici gjithandej, keni bllokuar gjysmën e Tiranës, sepse keni frikë nga protestuesit. Tani na keni sjellë në parlament edhe masat kërcënuese, se si do t’i ndaloni protestuesit, por nuk i ndaloni dot. Nuk i ndaloni dot. Dhe të shtunën, në datën 28, do ngrihet e gjithë Shqipëria. Do ngrihet kundër jush, sepse ju ka ardhur fundi”, deklaroi ai.
Por ky zhvillim, pra deklarata e ambasadorit amerikan, Eric Wendt hap një front të ri lufte mes drejtësisë së mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë dhe klasës politike të akuzuar për korrupsion. Megjithatë, mbetet të shihet se cilët do të jenë personazhet e parë që do të dalin në dritë nga verifikimi i këtyre serverëve dhe sa thellë do të shkojnë hetimet e Prokurorisë së Posaçme. Në ditët në vijim pritet që kjo përplasje të prodhojë të tjera zhvillime të bujshme, duke e mbajtur opinionin publik nën ethet e emrave të rëndësishëm që rrezikojnë përballjen me ligjin.
