Studiuesi Jaho Brahaj kundërshton dhënien në përdorim të monumenteve të kulturës në kushtet aktuale

27 Nëntor 2026
Nga Julia Vrapi
Studiuesi Jaho Brahaj shpreh shqetësimin për mungesën e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse për të garantuar mbrojtjen dhe kontrollin e vazhdueshëm të monumenteve të kulturës
“Fiton një subjekt privat dhe bën zhvillim biznesi në Europë, aty ku ka institucione të zbatimit të ligjeve të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Ne kemi shembuj në Shqipëri katastrofikë në këtë drejtim. Dhe kush na siguron neve, me këto institucione dhe specialistë që kemi, të cilët nuk kanë aftësi, qoftë për të mbrojtur, qoftë për të ruajtur, qoftë për të zhvilluar, qoftë edhe për të asistuar e për t’i kontrolluar në vazhdimësi, që të ruhen këto kala monumente kulture me ato kërkesa që kanë?”, shprehet Brahaj në një reagim të tij. Studiuesi Jaho Brahaj kundërshton dhënien në përdorim të monumenteve të kulturës në kushtet aktuale, duke theksuar se përparësi duhet t’i jepet ruajtjes dhe restaurimit të tyre.
Sipas tij, një mundësi e tillë mund të shqyrtohet vetëm pasi të përmirësohen kuadri ligjor dhe kapacitetet profesionale për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. “Gjithmonë duhet ta matim hapin, që të mos biem në shkatërrim, por t’i ruajmë dhe t’i restaurojmë monumentet. Më pas kur të kemi kushte të tjera ligjore për trashëgiminë kulturore dhe zbatim më të mirë të ligjit, atëherë edhe mund të jepen, sepse parimisht nuk jam kundër, por në kushtet konkrete jam kundër, pasi monumentet mund të pësojnë dëmtime për shkak të kushteve ligjore dhe mungesës së specialistëve që kemi sot”, thotë Brahaj.
Nga Intervista në Gazetën SOT, 27 Nëntor 2026.