Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka përcjellë një mesazh urimi për popullin shqiptar

28 Nëntor 2026
Nga OraNews
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka përcjellë një mesazh urimi për popullin shqiptar me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë, duke vlerësuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në mesazhin e tij, Rubio nënvizon rëndësinë e partneritetit mes dy vendeve, të ndërtuar mbi sigurinë kolektive, zhvillimin ekonomik dhe lidhjet mes qytetarëve. Ai thekson se Uashingtoni mirëpret zgjerimin e bashkëpunimit me Tiranën në fushën e mbrojtjes dhe politikës së jashtme.
Një pjesë të rëndësishme të mesazhit, sekretari amerikan ia kushton luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe karteleve të trafikut të drogës, duke vlerësuar përpjekjet e përbashkëta për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve.
Rubio ndalet edhe te siguria kibernetike, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për përballimin e kërcënimeve në këtë fushë dhe forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë.
Në përfundim, kreu i diplomacisë amerikane shpreh gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të thelluar më tej marrëdhëniet me Shqipërinë në të gjitha fushat me interes të përbashkët.