Zbulohet një stelë varri 2300-vjeçare
në kishën e Shën Kollit në Lunxhëri. –

Nga: Dhurata Hamzai

Një Stelë Varri rreth 2300-vjeçare, e përbërë nga gur gëlqeror monolit është zbuluar në fshatin Këllëz të Lunxhërisë, në rrethin e Gjirokastrës. Në këtë objekt duket qartë elementët arkitektonikë e  decorative. Shihet  e gdhendur një shigjetë dhe shkrime të antikitetit që rrëfejnë emrin e  personit të cilit i dedikohet kjo pllakë.

Ndërsa ky zbulim që daton në shekullin e tretë para Krishtit pritet t’i kthehet Muzeut Historik Kombëtar, arkeologu Spiro Nika rrëfen historinë e zbulimit të këtij objekti të rrallë.

I intervistuar nga “Shqiptarja.com”, Nika rrëfen sesi u gjet kjo Stelë Varri e periudhës helenistike në një kishë që daton jo më shumë se tre shekuj.

Objekti arkeologjik Stelë Varri konsiderohet nga arkeologu Nika si një gjetje rastësore, për shkak se ka qenë i ripërdorur në kishën e Këllezit në pjesën e ikonostasit. I vendosur në këtë kishë objekti ka ndryshuar, jo vetëm funksionin e tij, por edhe pamjen, duke mbetur për afër tre shekuj një “dokument historik” i fshehur mes gurëve të kishës. “Sipër këtij objekti është bërë suvatimi”, ka rrëfyer Spiro Nika për “Shqiptarja.com”.

Objekti i zbuluar pritet të restaurohet dhe më pas të studiohet, edhe se çfarë shkruhet në të. Ndërkohë specialistët e Muzeut Historik Kombëtar e kanë parë të arsyeshsme që të bëjnë përpjekjet e tyre për ta kaluar këtë objekt të rallë arkeologjik nga pronësia e kishës në pronë shtetërore. Banorët e zonës dhe kryesia e fshatit kanë rënë dakord që objekti të ruhet dhe të ekspozohet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, ndërsa pritet që lëvizja nga Këllezi e objektit arkeologjik pranë një  kishe ortodokse të bëhet sipas legjislacionit përkatës.

Spiro Nika, arkitekt dhe restaurator e ka përcaktuar objektin në pasaportën e tij si “Pllakë përkushtimore, ndoshta e një  strategu ushtarak të periudhës helenistike”. Nika mendon se pas zbulimit kjo pllakë duhet të të ruhet, ekspozohet dhe promovohet me efikasitet vetëm në Pavionin e Lashtësisë në Muzeun Historik në Tiranë. Në këtë intervistë, Nika rrëfen, jo vetëm për zbulimin e objektit, por edhe për zonën e Lunxhërisë dhe të Çajupit si një sit arkeologjik ende të paeksploruar.

Gjatë një bisede të mëparshme me ju mësuam se siti arkeologjik në Këllëz të Lunxhërisë, konsiderohet si një zonë me thesare të rralla arkeologjike. Cilat janë disa nga zbulimet dhe pasuritë arkeologjike të kësaj zone?
-Nisur nga informacionet e banorëve të fshatit Këllëz, realizova një ekspeditë  përnjohëse në zonën përreth kishës së Shën Kollit (Nikollës), që ndodhet pranë një burimi në pjesën e sipërme të fshatit. Nga pikëpamja tipologjike kemi të bëjmë me një kishë një nefshe, me hajat në anën perëndimore. Nisur nga vëzhgimet e kryera konstatojmë se kisha duhet të jetë ndërtuar në vitin 1786 (sipas mbishkrimit që ndodhet në një gur qosheje të ripërdorur qysh nga antikiteti, në këndin jugperëndimor të objektit). Zbulimi i një stele mortore (varri) brenda kishës dhe e vendosur në funksion të ikonostasit na dha ngacmimin për të bërë një survejim intesiv të territorit përreth.

Stela me përmasa 164x41x18 cm ka qenë e ripërdorur në bazamentin e ikonostasit të kësaj kishe. Punimet në relievin e saj  ruhen në gjendje shumë të mirë. Spikat mbishkrimi  i periudhës helenistike në pjesën e sipërme dhe poshtë tij  heshta me shigjetë si armë lufte zë pjesën kryesore të stelës. Nga vëzhgimet sipërfaqësore rezulton se kemi të bëjmë me një sit arkeologjik ku ka gjurmë fortifikimi, gjetje si fragmete qeramike (enë e tjegulla) etj. Ky është objekt me vlera të veçanta historike dhe elementë arkitektonik  dekorativë. Duhet të ruhet,ekspozohet dhe promovohet me efikasitet vetëm në Pavionin e Lashtësisë në MHK- Tiranë

Cili është datimi i kësaj stele. Ka lidhje me kishën prania e saj në të?
-Nisur nga tipologjia, stilistika e kësaj pllake monolite përkujtimoreje mendojmë se i përket periudhës helenistike (shek 3-2 p.e.s.), kohë kur Antigonea dhe Kalaja në Lekël njohën lulëzimin e jetës qytetare. Kjo stelë mortore gjendet e braktisur, megjithatë është bërë pjesë e inventarit të QKIPK Tiranë.

Sipër këtij objekti është bërë suvatimi dhe duhet të restaurohet që të lexohet qartë se çfarë është shkruar dhe emri se kujt dedikohet. Në këtë sit arkeologjik ku spikat pozicioni strategjik, pranë një burimi me ujë të bollshëm, konstatuam praninë e gjurmëve të një sistemi fortifikues (mur mbrojtës dhe hyrje) dhe fragmente të shumta  qeramike, të cilat po jua paraqesim në tabelat shpjeguese (enë të përdorimit të përditshëm, pitosa e tjegulla). Spikatin paraqitjet e plota të dy shenjtorëve, Konstadinit  dhe Elenës të cilat kanë nevojë për konsolidime të menjëherëshme.

Në çfarë gjendje ka qenë kisha kur u bë zbulimi?
-Gjendja brenda kishës thërret domosdoshmërinë e një ndërhyrjeje sistemuese si në dysheme  dhe  faqet e mureve. Nga sektori i artit kërkohet ndërhyrje restauruese në atë fragment të vetëm që ka shpëtuar nga afresku i gjithë kishës.

Në  krye të fshatit Këllëz gjenden dy vende të shenjta, të cilat ishin katandisur në gjendje rrënoje. Shën  Kolli i Madh pati fatin që në verën e vitit 2012 të ndjejë dorën e restauratorëve në arkitekturën e tij. Me bekimin e  mitropolitit të Gjirokastrës , hirësisë së tij Dhimitrit, dhe kontributin financiar të vëllezërve  Qirka  e të Mitropolisë u realizuan ndërhyrjet në muraturë dhe çati. Këllëzi ka dhe kisha të tjera  përreth si shën Mëhilli e shën e Premten, të cilat sot janë në gjendje rrënoje. Por këtij fshati i mungon tempulli i tyre simbol, kisha e shën Mërisë në qendër të fshatit. Padrejtësisht sot ai vend nuk ruan dinjitetin dhe shenjtërinë që ka pasur në shekuj, aktorët dhe faktorët që kanë gatuar këtë lëmsh duhet ta zgjidhin.

Një gjë dihet: e shenjta nuk përdhoset. Duke lexuar studimin e Prof. Valter Shtyllës  “Vepra inxhinerike hidrike në Shqipëri” të bie në sy aftësitë e mjeshtrëve lunxhiotë në ndërtimin e krojeve,bendeve dhe mullijve në zonën e tyre e më gjerë. Në Këllëz ekziston një asambël arkitektonik që meriton status të veçantë. Dy mullijtë e ujit në vijim të njëri-tjetrit, rruga me kalldrëm dhe ura e gurtë mbi përroin e Gurrës duhet të merren në mbrojtje shtetërore, pasi të jenë studiuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve.

Si mund të jetë ndodhur Stela Mortore parakristiane brenda kishës?
-Gojëdhënat na thonë se në një shpellë afër shën Kollit u shfaq një ikonë e shën Mërisë ardhur prej manastirit të Cepos. Banorët ndërtuan (ndoshta në vitin 1884) në atë vend kishën e shën Kollit të Vogël. Mjeshtrit kanë realizuar një zgjidhje inteligjete të harmonisë  shpellë-ndërtesë. U desh ndërhyja e inicuar dhe mbështetur prej vëllezërve Kristaq e Sofo Qirka  që situata  nga rrënojë të kthehej në indetitet gjatë verës së vitit 2013. At Theodhori  meshoi për herë të parë në të dy këto kisha pas një periudhe të gjatë përgjumjeje. U mblodhën mëngjezin e  6 dhjetorit me grupin që erdhi nga Tirana e Gjirokastra dhe shumë bashkëfshatarë tek të cilët lexohej kënaqësi dhe mbushje shpirtërore.

Më sipër ju më thatë se pritet që ky objekt arkeologjik të jetë në Muzeun Historik Kombëtar, a është i siguruar ndërkohë?
-Objekti është i braktisur nga vëmendja shtetërore. Ai vërtetë ndodhet në kishë, por kisha është e hapur. Dhe ka dy vjet që qëndron atje. Stela do pastrim, sepse ka qëndruar e suvatuar, por nën shtresën e suvasë si monument është shumë i pastër. Ne e kemi çuar foton në Amerikë për të analizuar në laboratore shkronjat e saj. Stela mortore është shumë e lashtë, ndërsa kisha relativisht e re. Ky zbulim duke i përkitur shekullit të tretë para Krishtit duhet të na e drejtojë vëmendjen edhe në terrenin arkeologjik të zonës së Lunxhërisë. Ripërdorimi i objekteve nga antiktitetit në ndërtimet e reja  ka qenë traditë në shumë monumente të vendit tonë.

Sigurisht që ato janë përdorur si një dëshmi e një kohe të shkuar. Kjo stelë në kishën e Shën Kollit u suvatua dhe mbi këtë gur lexohej ungjilli. Prandaj vëmendja e shtetit duhet të drejtohet edhe mbi terrenin arkeologjik, se pasurinë arkeologjike e tregojnë jo vetëm gurët e shekujve të 2-3 para Krishtit të ripëdorur në teknikat e reja të ndërtimeve, edhe gjetjet e ndryshme të bëra nga fshatarët. Ata kanë gjetur monedha edhe në enë qeramike të lashtësisë.