Ja 3 dosjet e FBI-së për Edi Ramën, nga dy llogaritë bankare të bashkëshortes në Ishujt Kajman me 600 milionë dollarë të bllokuara që prej vitit 2019, te aferat dhe emrat që dalin në hetimet amerikane, çfarë po zbardhet në Uashington

17 Nëntor 2026
Kryeministri Edi Rama po përballet me një panoramë gjithnjë e më të rëndë zhvillimesh që kanë përfshirë institucionet amerikane dhe që prekin drejtpërdrejt rrethin e tij politik, njerëzit me të cilët ka bashkëpunuar dhe bizneset që kanë pasur akses në zyrën e Kryeministrit. Tri dosje të ndryshme, tri histori me përmasa ndërkombëtare dhe një emër që shfaqet në secilën prej tyre: kreu i qeverisë shqiptare. Nga afera energjetike 6 miliardë dollarëshe e gazit, ku në skenë del ish-ambasadorja amerikane Kimberly Guilfoyle dhe grupi grek AKTOR, te skandali i ish-agjentit të FBI-së Charles McGonigal, për të cilin SPAK ka kërkuar informacion në SHBA, deri te rrjeti i familjes Hysa, i goditur nga Uashingtoni për lidhjet me kartelin Sinaloa. Këto nuk janë më thjesht polemika politike apo akuza të hedhura në Tiranë, por çështje ku përfshihen institucionet amerikane dhe FBI-ja me hetime, përgjime, kërkesa për informacion, sanksione dhe pazare të pista që kërkojnë zbardhje.
Pazari i Ramës me ish-ambasadoren amerikane në Greqi
Dosja e parë dhe më e freskët që hap këtë seri hetimesh lidhet me pazaret energjetike në rajon, ku FBI-ja ka nisur së fundmi verifikimet ndaj ish-ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, për aktivitetin e saj diplomatik dhe marrëveshjet e gazit të promovuara në Ballkan, me në fokus aferën 6 miliardë dollarëshe me Shqipërinë. Sipas raportimeve, në hetimin e agjentëve federalë është përfshirë edhe marrëveshja 20-vjeçare e firmosur në Tiranë me grupin grek AKTOR, ku del emri i kryeministrit Edi Rama. Dyshimet për korrupsion, konflikt interesi dhe favorizim të kompanive private nxjerrin në pah prapaskenat e një pazari gjigant energjetik, ku Rama bashkëpunoi me Guilfoyle për të çuar përpara marrëveshjen me grupin grek.
Në skemë dalin lobistë, qarqe të dyshimta biznesi dhe interesat energjetike greke, ndërsa hetuesit e FBI-së po verifikojnë nëse posti diplomatik u përdor për të favorizuar kompani private në rajon. Gazeta greke Kathimerini raportoi se agjentët federalë po mbledhin çdo provë për aktivitetet e dyshimta të Guilfoyle gjatë mandatit të saj në Greqi, pasi ajo dha dorëheqjen në muajin tetor pas publikimit të disa hetimeve gazetareske për shkelje etike dhe financiare. Në fokus të hetimit të FBI-së është edhe roli i lobistit Christos Marafatsos dhe lidhjet e Guilfoyle me kompaninë greke të ndërtimit dhe energjisë AKTOR Group, pas raportimeve të The Wall Street Journal që ngritën dyshime se ajo përdori ndikimin e saj diplomatik për të promovuar interesat tregtare të kësaj kompanie në Ballkan.
Afera McGonigal
Përtej aferave energjetike, e ardhmja politike e Edi Ramës duket se mbetet peng i një tjetër dosjeje të hapur në duart e amerikanëve. Uashingtoni ka një armë të fortë kundër tij: çështjen “McGonigal”, një hetim i nisur dhe i dokumentuar nga vetë FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë. Ndërsa në SHBA kanë dalë fakte të forta për lidhjet e Edi Ramës me ish-agjentin e lartë të FBI-së, në Shqipëri ende nuk ka pasur zhvillime konkrete. SPAK ka nisur një procedim penal lidhur me këtë rast, ka kryer disa hetime dhe ka dërguar një letër-porosi në SHBA vitin e kaluar, por deri tani kryeministri nuk është marrë në pyetje dhe nuk ka pasur një konkluzion. Pikërisht për këtë arsye, fati i Edi Ramës duket se varet nga Uashingtoni, sepse hetimi i Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së, ku ka shkuar edhe letra e SPAK, nxori fakte të rënda mbi kryeministrin shqiptar. Nëse amerikanët sjellin dosjen e kompletuar me fakte dhe prova, SPAK nuk do të ketë më nga t’ia mbajë dhe do të detyrohet t’i shkojë çështjes deri në fund.
Investigimi i Departamentit të Drejtësisë dhe i strukturave të brendshme të FBI-së ishte një goditje e madhe për Ramën, pasi tregon fijet e errëta të lidhjes me ish-shefin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal. Sipas dokumenteve zyrtare amerikane, ai zhvilloi disa takime të fshehta me Ramën gjatë vitit 2017, ndërkohë që ishte në detyrë dhe drejtonte hetimin më të ndjeshëm të FBI-së kundër kompanisë kineze CEFC. Takimet u organizuan nga një “këshilltar joqeveritar” i kryeministrit, i identifikuar si “Personi B”, i cili njëkohësisht vepronte si lobist i CEFC-së. Sipas raportit të Inspektoratit të Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë amerikane, McGonigal udhëtoi disa herë në Shqipëri pa raportuar pranë FBI-së, në shkelje të drejtpërdrejtë të protokolleve të sigurisë. Gjatë këtyre udhëtimeve, ai mori dhurata, darkoi në privatësi me Ramën dhe ndau informacion të klasifikuar mbi hetimet e FBI-së në SHBA ndaj CEFC-së, duke paralajmëruar lobistët e kompanisë që të shmangnin arrestimin.
Madje, në një email të dërguar nga adresa e tij personale, McGonigal dërgonte foto me Kryeministrin shqiptar dhe e përshkruante “reformën në drejtësi si një mundësi të artë”. Hetimi tregon se ai e përdori Shqipërinë si një bazë ndërmjetësimi për të ndikuar në hetime të ndjeshme amerikane, ndërsa vetë Rama u përdor si urë për interesa të huaja. Pagesat prej 225 mijë dollarësh cash që ish-agjenti mori nga një ish-zyrtar shqiptar i inteligjencës, bashkë me përfshirjen e një zyrtari pranë Ramës, janë pjesë e kësaj skeme të gjerë ndërkombëtare që përplaset me të gjitha rregullat e sigurisë dhe ligjit.
Karteli Sinaloa dhe hetimet e SHBA
Në vazhdën e këtyre skandaleve që prekin rrethin qeveritar, në Uashington është ngritur tashmë edhe çështja e narkotrafikut në Shqipëri dhe e rolit të mundshëm të ekzekutivit, një dosje ku janë angazhuar agjencitë ligjzbatuese amerikane dhe FBI-ja. Kongresmeni amerikan Joe Wilson ka kërkuar zyrtarisht që administrata amerikane të hetojë nëse qeveria shqiptare ka lehtësuar ose mundësuar këto aktivitete. Kërkesa, e cila parashikon edhe një raport të klasifikuar nga institucionet amerikane të sigurisë, përbën pikën më të fortë të gjithë historisë, sepse Uashingtoni nuk po pyet vetëm se kush janë trafikantët shqiptarë, por po kërkon të dijë nëse ka pasur mbështetje nga shteti. Kjo e ekspozon politikisht Edi Ramën.
Administrata amerikane dha sinjalin e qartë vitin e kaluar se Urdhri Ekzekutiv 14157 i Trump, që synon çmontimin global të rrjeteve të drogës dhe organizatave kriminale transnacionale, ka nisur të zbatohet drejtpërdrejt në Shqipëri. Goditja e koordinuar e Departamentit të Thesarit kundër grupit Hysa, i lidhur me kartelin meksikan Sinaloa, erdhi menjëherë pasi Ambasada e SHBA-së në Tiranë paralajmëroi se Uashingtoni do të fillonte “një luftë të pamëshirshme” kundër elementëve kriminalë dhe mbështetësve të tyre në rajon. Kjo ishte një goditje e rëndë për Ramën, pasi sipas mediave meksikane, ortakët e kartelit ‘Sinaloa’, Luftar Hysa dhe Besnik Lulaj, janë pikërisht personat që më 4 tetor 2020 vizituan zyrën e tij nën shoqërinë e deputetit gjerman të CDU-CSU, Mark Hauptmann, dhe Dorian Duçkës, i cili në atë kohë ishte këshilltar i kryeministrit për investimet e huaja. Më vonë, vetë Rama deklaroi se ata kishin shkuar në zyrën e tij dhe se u kishte dhënë edhe licencë për kazino. Ndërkohë, arrestimi i një prej figurave më të kërkuara të kartelit famëkeq Sinaloa në Meksikë ka rikthyer sërish vëmendjen te lufta e FBI-së dhe agjencive amerikane kundër rrjeteve ndërkombëtare të drogës.
Më 20 nëntor, forcat speciale meksikane, në një operacion të mbështetur nga inteligjenca amerikane, kapën Fausto Isidro Meza Flores, të njohur si “Chapo Isidro”, i cili ndodhej në listën e 10 të arratisurve më të kërkuar nga FBI, arrestim ky që u shoqërua me përplasje të përgjakshme dhe kërkesën e SHBA-së për ekstradimin e tij. Sipas burimeve të raportuara në media, dokumentacioni hetimor i agjencive amerikane dhe i FBI-së mbi këtë rrjet kriminal përmban qindra faqe që dyshohet se lidhen me rrethin familjar të kryeministrit Rama, ku përfshihen edhe llogari bankare me vlerë qindra milionë dollarë të gjurmuara nga hetuesit amerikanë.
Llogaritë bankare
Pikërisht këto dyshime për qindra milionë dollarë të gjurmuara nga agjencitë amerikane dhe FBI-ja çojnë te pista e fundit, ku makina e pastrimit të parave dhe e fshehjes së pasurive offshore ka nisur të lëshojë sinjale alarmante, duke vënë në shënjestër të tryezave të hetimit ndërkombëtar llogaritë e dyshuara të familjes së Ramës. Në qendër të dosjeve të errëta të parajsave fiskale tashmë figurojnë dy numra specifikë llogarish, të cilat dyshohen fort se janë çelësi i fshehjes së 600 milionë dollarëve të lidhura me Linda Ramën dhe rrethin e saj, duke i dhënë kështu trajtë konkrete skemës së transfertave drejt ishujve ekzotikë.
Dyshimet dhe hetimet e agjencive perëndimore e të FBI-së fokusohen te dy kode llogarish të hapura përmes sistemit të ndërmjetësimit financiar: llogaria e parë (MC 15214), e regjistruar nën strukturat e degëve offshore në Ishujt Kajman, e cila dyshohet se ka shërbyer si kanali kryesor i arkëtimit të transaksioneve të majme me vlerë miliona dollarësh, dhe llogaria e dytë (CR 10711. K), e koduar me kujdes për të fshehur gjurmët e përfituesit real, e cila përbën nyjën e dytë të rrjetit ku dyshohet se janë parkuar fondet e pastruara nga tenderat dhe koncesionet e dhëna në Shqipëri.