Tabloja e zbuluar nga dogana në pjesën e bagazheve të një autobusi të parkuar në një zonë në rajonin e Parisit, mund të jetë vepra e Edgar Degas, e vjedhur në fund të 2009 në Marsejë.

“Të gjitha indiciet të lënë të kuptosh se bëhet fjalë për ‘Koristët (Les Choristes)’, një vepër e Edgar Degas”, sipas doganës.

Të martën agjentët e saj zbuluan një tablo që mund të ishte e piktorit të famshëm impresionist, në pjesën e bagazheve të një autobusi të parkuar në zonën Senë-Marne, gjatë një kontrolli.

Asnjë nga pasagjerët e autobusit nuk mori përsipër pronësinë e veprës së zbuluar, transmeton kp. Askush nuk është ndaluar nga dogana.

”Koristët”, të quajtur gjithashtu ”Figurantët” është një vepër në pastel me përmasa 32×27 centimetra e vitit 1877.

Piktura paraqet një grup koristësh me kostume duke kënduar në skenën e operas. Vepra u zhduk më 31 dhjetor, pa lënë asnjë gjurmë.

Tabloja vlerësohet mes vlerës 800,000 deri në 30 milionë euro.