Media franceze: Drejtuesja e re e SHISH ka marrë pagesa shtetërore nga Italia

Esmeralda Hasani – Shish
13 Nëntor 2026
Emërimi i Esmeralda Hasanit në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit ka tërhequr vëmendjen e medias së specializuar franceze për çështjet e inteligjencës dhe diplomacisë, ‘Intelligence Online’.
Ajo i ka kushtuar një artikull, ku ndalet te marrëdhëniet e saj të mëparshme profesionale me institucione italiane si dhe tek interesat e Romës në nivelet më të larta të inteligjencës shqiptare.
Media shkruan se Esmeralda Hasani ka qenë e angazhuar më parë si konsulente në kuadër të projekteve të lidhura me institucionet italiane.
Më tej, ajo argumenton se ka marrë pagesa shtetërore nga Italia, ndërsa përmendet edhe një pagesë prej 3.834 eurosh nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS). Në regjistrin publik të pagesave të këtij institucioni figuron një pagesë e kryer më 16 prill 2025, për shërbime konsulence të lidhura me një faturë të vitit 2024.
Media franceze e lidh emërimin e Hasanit me interesin e qeverisë italiane për të thelluar bashkëpunimin me Tiranën, veçanërisht në kuadër të marrëveshjes për emigrantët. Kjo pasi, marrëveshja mes dy vendeve parashikon funksionimin e strukturave në Shëngjin dhe Gjadër.
