Nga: Nikolla Lena. –

– Rreth 20 të rinj nga Italia, të apasionuar pas raftingut, dëgjojnë për Lumin e Shalës, për mrekullitë e tij natyrore, për historinë e trojeve ku rrjedh, për eposin dhe etnografinë e zonës, kulinarinë vendase me mikpritje e këngë rreth zjarrit, ngiten deri në Theth, në burimet e këtij lumi magjik  dhe zbresin duke lundruar, deri  në derdhjen e tij, në Liqenin e Komanit, tamam te Blini i Gurit të Lekës.

Janë nisur nga Thethi dhe pas 23 km lundrim, kanë arritur ti parkojnë kanoet e tyre te Blini i Gurit të Lekës. Një trevë kjo që gjallon midis mistikes dhe reales, sepse asgjë nuk dihet deri në fund për Blinin dhe  Gurin, që mbajnë emrin e njërës prej figurave më enigmatike të histories ton, siç është Lek Dukagjini.

Plot tre orë udhëtim ”meraviglioso”, thanë djemtë italian  për shoqëruesit guidatorë vendas, që i shoqëruan në këtë aventurë të bukur sportive.

“Mbetën të befasuar”, thotë Ndoc Mulaj, Sokoli dhe Altini në ambientet e bujtinës ku u çlodhën miqtë italian, pas këtij udhëtimi mbresëlënës.

Bujtinat e ngritura në këto anë nga investitorë vendas, që kanë kuptuar rëndësinë turistike të maleve dhe Alpeve Shqiptare, çdo ditë presin vizitorë të huaj e vendas që ngjisin lartësitë e maleve për peizazhin e tyre natyrorë, të ujërave të rrëmbyeshëm të lumenjve, e të ngjitjeve alpinistike dhe strehohen e çlodhen në këto bujtina komode, të gjendura në Theth apo dhe në derdhjen e Shalës, te Guri i Lekës.

Ndoci, Sokoli, Altini e Zef Gjeta, të lindur e rritur në këto anë, e kanë merak Lumin e tyre dhe duan ta ruajnë të pa prekur, ashtu siç e ka bërë “I Madhi Zot”, thotë Ndoc Mulaj,  “sepse kemi ndigjue që po flitet për do hidrocentrala”, mbaron fjalinë e tij të shkurtër prej malësori, i shqetësuar për Alpet e “veta” , e  lumenjtë e “tij”, ky natyralist dhe ambientalist i këtyre anëve.

“Janë me dhjetra vizitorët që ngjisin çdo javë Bjeshkët tona edhe tani me dëborë”,  thonë ata.

Malet e Shalës, janë dhe një perspektivë për pistat e skive në rrafshet e buta ku bora qëndron deri në fund të pranverës.

Lumi i Shalës është një destinacion turistik që përshkruhet nga vizitorët që e kanë parë nga afër si perla e bukurive të Komanit.

Ngjyra e ujit është karakteristikë e këtij lumi dhe shkëmbinjtë e thepisur duket sikur prekin qiellin.

Ai buron rrëzë Alpeve Shqiptare dhe ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në  Liqenin e Komanit ku derdhet.

Lumi  është i pasur me një shumëllojshmëri faune ujore, por më e përhapur është trofta, që rritet vetëm në ujrat e ëmbla lumore.

Ky lum, vitet e fundit është bërë një destinacion turistik si për të huajt ashtu dhe për vendasit, nga ku vizitorët e shumtë e përshkruajnë si perlën e bukurive të Komanit e të Shqipërisë.

Çdo javë nisen drejt këtyre burimeve ujore me bukuri të rrallë agjenci të shumta të shërbimit turistik.

Lumi i Shalës është një dashuri me shikim të parë. /a.g/