Edison Gjergo: Epika e yjeve të mëngjesit” 1971

“Epika e yjeve të mëngjesit” – për këtë vepër oil në canvas, me dimensionet e telajos 179 x 119.5 cm, krijuar në vitin 1971 u dënua me burg Edison Gjergo (1939 -1989). Ishte një urrejtje e egër ndaj këtij piktori prej atyre që mbanin skeptrin e pushtetit. U lëshuan me tërbim sikur Edison Gjergo të kish bërë një kundërrevolucion dhe u rrezikonte pushtetin që e mbanin me dhunë. Në fakt ai kishte derdhur në telajo plot fantazi e frymëzim kurrgjë më shumë se një episod të luftës, por të parë krejt ndryshe e jashtë skemave të kohës. Një fundnate e thellë, një rapsod i tretur deri në asht me lahutë këndon një këngë epike për disa partizanë nën një sfond blu të qiellit ku ndrisnin yje të largët e të ftohtë. Gjithçka e mbajtur në tonet dominuese blu me disa fraktura të telajos të kuqe të ndezur e të zezë. Por luftën ata e donin të ndritur, farfuritëse, bubullitëse, ditën për diell, me partizanë viganë, me urra, me njerëz që hidheshin mbi topa, mbi tanke, që i prisnin plumbat me gjoks, gjithçka në eufori…

Edison Gjergo ishte nga ata që guxoi dhe tërë rrufetë ranë mbi të. U mallkua publikisht dhe u dënua fizikisht. Ishte tmerr të mendoje se e kishin dënuar me burg për një tabllo, që fundja ishte temë e luftës, ishte me partizanë. Por atyre u duheshin disa viktima në art dhe do t’i gjenin patjetër. Siç gjetën edhe Maks Velon. Siç burgosën e pushkatuan pa mëshirë plot të tjerë. Burgu e dërrmoi piktorin. Arriti te shihte një ekspozitë të pranverës në fundin e jetës së vet ku tashme piktorët kishin arritur disi të shpëtonin prej diktatit të plotë. Kishte më shumë lirshmëri ngjyrash në telajo. Ai pikërisht për këtë ishte dënuar, kish humbur vitet më të çmuara të krijimtarisë. Por gjithsësi ai nuk mund të paraqitej në ekspozita. U mbyll në vetvete e ra në një dëshpërim të thellë. Ndrroi jetë në vitin 1989 në moshën 50 vjeçare. Gjithsesi kjo punë e tij, kjo epikë blu në telajo e Edison Gjergos i qëndroi kohës. Lumturisht nuk është prishur. Eshtë shumë impresionante. Një dimension që i thyente tërë rregullat real-socit, mirëpo edhe sot pas dy dekadash që është shëmbur diktatura, ndërkohë që pak flitet për Edison Gjergon, na del ndonjë piktor si i suksesshëm por edhe i pompuar me mbështetje politike, që na e shet sapunin për djathë duke thënë se natyrat e qeta me lulkat e tij punuar asokohe ishin një dizidencë kundër sistemit monist. Në të vërtetë dizidenca ishte Edison Gjergo me tabllonë e tij “ Epika e yjeve të mëngjesit” që sot ka një vlerë të madhe.

Pse jo dhe “Metalurgu” realizuar në 1971 që ka të njëjtën frymë e teknikë dhe mbajtur me të njëjtën tonalitet ngjyrash ku mbizotëron kuq e bluja e Gjergos. Kjo pikturë epike blu e ky stil i tij origjinal shprehte dëshirat e krijuesve për të thyer skematizmin e kohës, atë ngurtësi që shterpëzonte e ndrydhte talentet. Dhe e bëri atë me dinjitet e me një sakrificë të jashtzakonshme. Piktori Edison Gjergo ndërroi jetë shumë shpejt, një fat vërtet tragjik i një talenti të madh që nuk arriti ta gëzonte lirinë e çlirimin prej diktaturës e të korrte frytet e veprës së vet, si fati i shumë artistëve e mjeshtërve të mëdhenj të telajos.

Edison Gjergo: Portret 90×80, bën pjesë në koleksionin privat familjar dhe nuk është ekspozuar asnjëhere.
Nga KOLEC TRABOINI