16 Shtator 2025

Në Bruksel u mbajt konferenca e përbashkët e Kryeministrit Edi Rama me Marie Bjerre, Ministre e Çështjeve Europiane, Mbretëria e Danimarkës dhe Marta Kos, Komisionere Europiane për Zgjerimin.

Pasi u hapën dhe 4 grup-kapitujt e radhës në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Komisionierja Kos kujtoi se “Është më e vështirë t’i hapësh, se sa t’i mbyllësh kapitujt”.

Ajo tha se BE do të ofrojë mbështetje për Shqipërinë, ndërsa kjo e undit duhet të japë rezultate me reformat.

“Shqipëri duhet të japë rezultate me reformat. Duhet të sjellë gjithçka që është e nevojshme. Vizioni i ekipit tuaj është që përmbyllen negociatat në fund të 2027-ës. Ne duhet t’i mbështesim me gjithë fuqinë që kemi ne si BE.”, tha ajo.

Nga ana e tij, kryeministri Rama u shfaq optimist dhe me nota humori, duke theksuar mbështetjen që Shqipëria po merr nga disa vende anëtare, në veçanti nga Danimarka, të cilën ai e përmendi si një aleate të fortë në rrugën drejt BE-së.

“Na erdhi shumë mirë kur pamë barometrin që përmendi Marta dhe kuptuam që populli danez është mes popujve më mbështetës për integrimin. Të kemi në krahun tonë Vikingët na jep siguri”, tha Rama.

Duke iu referuar metaforës së Vikingëve si simbol mbështetjeje dhe vendosmërie, Rama shtoi: “Duhet ta përhapim këtë ndjesi në mbarë Evropën, që askush të mos guxojë të na bllokojë rrugën. Sepse mes nesh dhe Vikingëve është një sipërmarrje e frikshme”.

Edi Rama: “Kam shumë mirënjohje. E nis me falenderimin për mbështetjen tuaj, që jeni siguruar të mbahet premtimi që kur japim rezultate shpërblehemi. Sot çelëm një tjetër grupkapitull, 5 në 11 muaj, ky është rekord. Presim me padurim të çelim grupkapitullin e fundit para mbylljes së 2025.

E dimë që është ambicioze por shpresojmë se do t’ia dalim. Kjo nuk ka të bëjë me marrjen e një shpërblimi një herë e mirë, por përpjekje të përditshme. E dimë që nuk ka rrugë tjetër. Kjo është hera e parë për ne në histori që zgjedhim lirisht me kë duam të martohemi.

Jemi martuar me detyrim me perandori të tjera. Me këtë perandori vlerash dhe të drejtash, sigurie e sigurimi ku qytetarët tanë do të sigurohen që të drejtat e tyre nuk do t’u merren nga askush që vjen më pas, duam të martohemi me dëshirë.

Na erdhi shumë mirë kur pamë barometrin që përmendi Marta dhe kuptuam që populli danez është mes popujve më mbështetës për integrimin. Të kemi në krahun tonë Vikingët na jep siguri.

Duhet ta përhapim këtë në mbarë Europën që askush të mos guxojë të na bllokojë rrugën sepse mes nesh dhe vikingëve është një sipërmarrje e frikshme.

BE është bekim për një vend si i yni dhe për vende i si i yni në rajon, është bekim që vende si Iraku apo Afganistani se kanë pasur. Përmes BE-së ne mund të marrim dijen për të ndërtuar institucionet. Për të ndërtuar shtetin që jep dhe ofron për qytetarët e vetë. Kjo është e jashtëzakonshme.

BE të jep mundësinë që të rishpikës veten si shtet, si vend. BE na ka ndihmuar si vend që të rishpikim veten. Sfida do të jetë që të rishpikim veten. Sfida jonë është që të rishpikim veten deri në fund. Kemi një ministri më vete vetëm për mjedisin”.

DEKLARATAT PARA KONFERENCES

Më herët Komisionerja Evropiane për Zgjerimin deklaroi sot përpara Konferencës së 6-të Ndërqeveritare BE-Shqipëri në Bruksel se “Shqipëria po bën një punë mbresëlënëse” me reformat e integrimit evropian.

“Sot do të hapim grupkapitullin e pestë, për agjendën e gjelbër dhe lidhjen e qëndrueshme. Kjo është shumë e rëndësishme sepse, nëse vazhdojmë me këtë shpejtësi, do të jemi në gjendje të hapim të gjithë grupkapitujt brenda këtij viti”, tha Kos.

Komisionerja theksoi se, Shqipëria po tregon se me lidership të fortë, ndryshimi pozitiv është i mundur.

“Nëse ata arrijnë rezultatet, edhe Komisioni Evropian do t’i përmbahet premtimeve. Dhe, sigurisht, gjithçka bazohet mbi parimin e meritës”, tha Kos.

“Një gjë shumë e rëndësishme është se ne shohim dallime mes vendeve kandidate. Një nga rolet më të mëdha në procesin e anëtarësimit është roli i lidershipit. Nëse lidershipi tregon vërtet orientimin pro evropian, atëherë edhe qytetarët e ndiejnë që vendi po ecën në drejtimin e duhur”, shtoi më tej Kos.

Kos nënvizoi se, “qëllimi i qeverisë së Shqipërisë është të përfundojë pjesën teknike të procesit të negociatave deri në fund të vitit 2027. Komisioni Evropian po mbështet këtë vizion të qeverisë së re të kryeministrit Edi Rama”.