
Ja kush fshihet pas Diellës, ministri virtual i Ramës do i kushtojë qindra milionë euro shqiptarëve, “ujqërit” e…
16 Shtator 2025
Nga Gazeta Sot
Vendimi i kryeministrit Edi Rama për të shpallur krijimin e një “ministreje virtuale” ka ndezur një debat të fortë mbi të ardhmen e qeverisjes digjitale në Shqipëri, por mbi të gjitha ka hapur edhe dyshimet e mëdha për mënyrën se si fondet publike po shpërdorohen nën petkun e inovacionit. “Diella”, projekti i ri që Rama e prezanton si një hap revolucionar, në fakt nuk është gjë tjetër veçse vazhdimi i një skeme të njohur ku paratë publike hidhen në erë dhe përfundojnë në tendera të kontrolluar nga AKSHI dhe drejtoresha e tij, Linda Karçanaj. Në praktikë, “Diella” është vetë Linda Karçanaj dhe ekipi i saj, “ujqërit” e tenderave të fryrë, të cilët prej vitesh kanë menaxhuar miliarda lekë duke prodhuar sisteme të dështuara dhe duke ekspozuar të gjithë shtetin përballë skandaleve kibernetike.
Nga e-Albania tek dështimi i mbrojtjes kibernetike
Në letër, Shqipëria u shpall si vendi model i digjitalizimit të shërbimeve publike. Platforma e-Albania u reklamua si porta e vetme për çdo dokument apo procedurë shtetërore, nga certifikatat e gjendjes civile deri tek aplikimet për leje ndërtimi. Por realiteti ishte shumë më i hidhur: qindra miliona euro të hedhura në sisteme që u shembën me goditjen e parë serioze. Skandalet e njëpasnjëshme treguan se digjitalizimi nuk zhduku korrupsionin, por e shtoi edhe më shumë atë. Sulmi i hakerave iranianë në vitin 2022 shpartalloi përfundimisht mitin e “fortesës kibernetike” të qeverisë. Në vetëm pak ditë, të dhënat më të ndjeshme të shtetit shqiptar, përfshirë databazat e qytetarëve dhe komunikimet e institucioneve, u publikuan në internet. Miliona euro të shpenzuara për sisteme mbrojtjeje dolën se ishin fasadë. Vetë AKSHI, institucioni që sot po përgatit “Diellën”, ishte përgjegjës për një tjetër skandal të madh: rrjedhjen e pagave të të gjithë punonjësve të administratës shtetërore. Të dhëna sensitive dolën online, duke treguar se sistemet ishin të brishta, të ndërtuara amatorisht dhe pa asnjë transparencë.
Qindra milionë euro për një “ministre” që është vetëm një ekran
Tani Rama po kërkon të shkojë më tej, duke shpikur një “ministre virtuale” – të parën në botë, siç e paraqet ai – por që në praktikë është një projekt tjetër për të shpërdorur qindra milionë euro. Procedura është e thjeshtë: AKSHI hap tendera gjigantë, kompanitë fituese lidhen drejtpërdrejt me qeverinë, dhe pas ekranit të një algoritmi të quajtur “Diella”, fshihet kontrolli absolut i Karçanajt dhe i vetë Ramës. Ky algoritëm nuk është një robot i pavarur. Çdo komandë, çdo përgjigje, çdo ndryshim kriteresh kalon nga një njeri real me akses total në sistem. Me një klikim të vetëm mund të manipulohet një tender prej qindra milionë eurosh. Ky është rreziku real: “Diella” është një fasadë që fsheh pushtetin absolut mbi informacionin dhe financat publike. Jo më kot, shumë media ndërkombëtare e kanë ngritur pyetjen se kush kontrollon këtë teknologji dhe për çfarë do të përdoret ajo në të vërtetë.
AKSHI, simboli i abuzimit me tendera
Nëse ka një institucion që simbolizon abuzimin me tenderat në Shqipëri, ky është AKSHI. Prej vitesh, ky institucion është akuzuar për dhënien e kontratave të dyshimta, fryrjen e kostove dhe mungesën e transparencës. Çdo projekt i madh digjital që ka dalë nga ky institucion ka përfunduar në skandale, dështime teknike dhe abuzime me fonde publike. Sot, me “Diellën”, Karçanaj po hap kapitullin më të rrezikshëm: një ministri virtuale që shitet si inovacion, por që në fakt është një mekanizëm për të vjedhur më shumë dhe më shpejt.
Digjitalizimi i rremë
Historia e e-Albania dhe skandalet e tjera tregojnë se digjitalizimi në duart e Ramës nuk është modernizim, por një mashtrim i shtrenjtë. Miliona euro të hedhura për sisteme që bien me një sulm kibernetik, për databaza që rrjedhin në internet dhe për projekte që nuk sollën asnjë lehtësim real për qytetarët. Me “Diellën”, ky cikël rrezikshëm po përsëritet në një shkallë edhe më të lartë. Nëse nuk u mbrojtën dot pagat e punonjësve të thjeshtë të shtetit, si mund të besohet se “Diella” do të mbrojë miliarda euro tenderash dhe sekretet më të rëndësishme të qeverisë? Kjo është pyetja që ngre ky projekt. Sepse “Diella” nuk është një risi për qytetarët, por një mjet për të konsoliduar pushtetin mbi financat dhe informacionin, duke përdorur si fasadë një “ministre virtuale” që nuk ekziston. Në të vërtetë, ajo është Linda Karçanaj dhe mjeshtrat e AKSHI-t, të cilët po përgatiten të hedhin në erë edhe qindra milionë euro të tjera të shqiptarëve.