
Godina e Sarajeve të Toptanëve, një projekt që do ta kthejë në Muze të Artit dhe Trashëgimisë Islame
20 Shtator 2025
“… “Muzeu i Artit dhe Trashëgimisë Islame do të ngrihet në godinën e Sarajeve, nga Instituti Konak në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Turizmit dhe Sportit si edhe me Bashkinë Tiranë, duke u bërë një stacion i ri i. …”
Godina e Sarajeve të Toptanëve do të kthehet në një Muze të Artit dhe Trashëgimisë Islame. Muzeu pritet të jetë një nga institucionet kulturore në Tiranë, projekti i të cilit u prezantua mbrëmjen e së mërkurës. Në buzë të rrugës “Abdi Toptani” është e vendosur godina e Sarajeve, e cila gëzon dhe statusin monument kulture i kategorisë së parë. Por nga prezantimi më parë në vitin 2023 të një projekt ideje për kthimin e godinës në muzeu Etnografik të Tiranës, projekti që u prezantua së fundmi e sjell atë si Muzeu i Artit dhe Trashëgimisë Islame, një qendër e re kulture, që do të ndërtohet në një godinë historike në qendër të Tiranës. Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit Blendi Gonxhja, i pranishëm në aktivitetin prezantues të këtij projekti mbrëmjen e së mërkurës, thekson se ky muze do të ndërtohet nga Instituti Konak, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Turizmit dhe Sportit si dhe Bashkinë e Tiranës. “Muzeu i Artit dhe Trashëgimisë Islame do të ngrihet në godinën e Sarajeve, nga Instituti Konak në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Turizmit dhe Sportit si edhe me Bashkinë Tiranë, duke u bërë një stacion i ri i rëndësishëm në hartën kulturore të Tiranës. Ky projekt synon të shërbejë si një pjesë e gjerdanit të hapësirave të reja artistike, së bashku me Teatrin e Ri Kombëtar dhe Galerinë Kombëtare, duke pasuruar ofertën kulturore dhe historike të kryeqytetit”, shprehte Gonxhja në rrjete sociale. Sipas tij, ky nuk do të jetë një muze statik, ku objektet qëndrojnë të pandryshuara, por do të jetë një muze, ku krahas koleksionit të përhershëm, që vetë ai do të lëvizë dhe evoluojë, do të zhvillohen ekspozita të përkohshme, performanca artistike, diskutime kulturore dhe aktivitete të ndryshme. “Trashëgimia islame nuk është një shtesë e huaj në historinë europiane, por një element i integruar i saj. Nga përkthimet që rigjallëruan dijet antike, tek arkitektura, filozofia, shkenca dhe arti, qytetërimi islam ka ndikuar ndjeshëm në formësimin e kulturës mesdhetare dhe rilindjes europiane. Kjo marrëdhënie nuk ka qenë e njëanshme, por ka funksionuar si dialog i thellë mes Lindjes dhe Perëndimit, Orientit dhe Oksidentit, një marrëdhënie që solli një ndërthurje të pasur kulturash”, shprehet ministri Blendi Gonxhja. Muzeu i Artit dhe Trashëgimisë Islame pritet të jetë gati brenda vitit 2030.
Godina e Sarajeve të Toptanëve, një nga perlat arkitektonike në Tiranë do t’i rikthehet publikut e transformuar në një muze, ku projekti i prezantuar nga arkitekti Jesus Hernandez nga studio Casanova + Hernandez përfshin ndërthurjen harmonike të trashëgimisë osmane me arkitekturën bashkëkohore. Arkitekti Hernandez shpjegoi gjatë prezantimit të projektit se muzeu do të përbëhet nga tre komponentë kryesorë. Sarajet janë ndërtuar rreth viteve 1833-1840 dhe janë një nga të paktat saraje feudalësh të ruajtura në qytetet e Shqipërisë. Këto ndërtime, karakteristike për shtresën e feudalëve, u përhapën nga gjysma e dytë e shekullit XIX në trevën e Tiranës.
Nga: Julia Vrapi, Gazeta Sot, dt. 10.09.2025.