26 Gusht 2022

Gazetarja Klodiana Lala është shprehur se agjenti i Forcës së Posaçme Operacione Jeton Lami, i cili ka shoqëruar të shumëkërkuarin Ervis Martinajn dhe ndodhet në burg nuk do të flasë para autoriteteve. Lala tha për Euroneës Albania se nëse Lami do fliste, çështja e Ervis Martinajt do të shkonte në nivele të larta të policisë, politikës dhe tek njerëzit e njohur të biznesit.

“Çështja është se Jeton Lami, ka heshtur deri më tani dhe mendoj se nuk do të flasë, sepse po foli nuk do të mbetet te skuadra e Posaçme Operacionale kjo histori do shkojë në nivele të larta të policisë, deri në nivele të larta politike dhe deri tek njerëzit njohur të biznesit”, tha ajo. Më tej gazetarja theksoi se Lami ishte potencialisht i rrezikuar për t’u vrarë sepse ai kishte të gjithë informacionet për Ervis Martinajn.

“Jeton Lami është shpëtuar brenda në burg. Ai ishte potencialisht njeri i rrezikuar për  t’u vrarë dhe në njëfarë mënyre shteti e mori e arrestoi dhe e shpëtoi. A do ta bindin autoritetet që ai të flasë sepse është njeriu që ka pasur të gjithë informacionet, janë eksponentë të njohur të botës së krimit, ish-ushtarakë të lartë, ish-efektivë të RENEA-së që e kanë shoqëruar Vis Martinajn”, u shpreh Lala.

Gazeta Sot