13 Prill 2023

Një nga vullkanet më vdekjeprurëse në botë, i cili nuk ka qenë aktiv që prej vitit të largët 1985, ka rritur ndjeshëm aktivitetin sizmik në ditët e fundit, ndërsa ekspertët janë shprehur të frikësuar se mund të ketë një riaktivizim të tij.

Mbi 6 mijë tërmete në ditë janë regjistruar në zonën e vullkanit Nevado del Ruiz në Kolumbi që prej javës së kaluar, duke bërë që zyrtarët të ngrenë alarmin dhe të evakuojnë më shumë se 2500 familje që ndodhen më pranë vullkanit.

Në zonën që vlerësohet me rrezik pranë vullkanit jetojnë më shumë se 57 mijë persona. Shpërthimi i këtij vullkani 38 vite më parë vrau më shumë se 25 mijë persona, duke u bërë shpërthimi i katërt më vdekjeprurës në historinë e njerëzimit.

Shkencëtarët janë shprehur se tërmetet e javës së kaluar kanë ardhur si pasojë e lëvizjes së magmës në drejtim të sipërfaqes, duke paralajmëruar riaktivizimin e vullkanit.

Ky vullkan mendohet të jetë formuar rreth 150 mijë vjet më parë dhe ndodhet rreth 130 kilometra në perëndim të kryeqytetit të Kolumbisë, Bogota.

Gazeta Sot