19 Mars 2023

Pas më shumë se 12 orë negociatash, Bashkimi Evropian njoftoi përfundimin e takimit trilateral në Ohër.

Shefi i diplomacisë së jashtme të BE’së, Joseph Borrell ka folur për mediat pas një serie të gjatë takimesh në Ohër me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe presidentin serb Aleksander Vuçiç.

“Ne kemi pasur një ditë të gjatë. Shpreh falënderimin për pritjen nga miqtë maqedonas. Synimi sot ishte që palët të merren vesh se si të implementohet marrëveshja që u pranua me 27 shkurt.

Sot çështja ishte se si të implementohet. Kjo nënkupton se si duhet të bëhet, nga kush, dhe kur. Kemi diskutuar për 12 orë. Kemi marrëveshje se si ta bëjmë. Palët janë pajtuar për Aneksin e Implementimit. Palët janë pajtuar të respektojnë të gjitha Nenet e marrëveshjes dhe të implementojnë të gjitha obligimet. Ky rezultat erdhi pas negociatave të vështira”, deklaroi Borell.

“Për të implementuar Nenin 7, Kosova është pajtuar të nisë menjëherë negociatat me BE-në për çështjen e vetë-menagjimit të komuniteteve.

Për nenin 7 – Kosova është pajtuar që të fillojë menjëherë, dhe kur them menjëherë, them menjëherë, negocimin për të vendosur angazhimet dhe përgatitje për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb”, ka deklaruar Borell.

Borrel tha se marrëveshja dhe aneksi Kosovë-Serbi “konsiderohen të pranuara në bazë të deklaratës sime”, duke sqaruar keshtu dhe mungesen e nenshkrimeve gjate bisedimeve te sotme.

Nga ana e tij kryeministri Albin Kurti u shpreh se: “Kemi njohje de fakto Kosove-Serbi”

Kurti tha se pala serbe po i ikën kësaj marrëveshjeje.

“Ne erdhëm në Ohër për të nënshkruar marrëveshejn bazë, me aneksin e zbatimit, kemi arritur një marrëveshje publike në aneksin që do të drejtojë realizimin…pala tjetër po i ikën nënshkrimit të marrëveshjes…Sa për aneksin e zbatimit, ai do të publikohët në uebfaqen e Bashkimit Evropian, përkatësisht EAS-it dhe aty do ta lexoni dhe kuptoni edhe çka ka edhe çka s’ka”, tha kryeministri.

Kurti theksoi, gjithashtu, se Serbia po i ikë nënshkrimit pjesës që do ta bëntë marrëveshjen ndërkombëtarisht të obligueshme.

“Ne kemi qenë të gatshëm me 27 shkurt, ishim të gtashëm edhe sonte me 18 mars… Kjo është njohje de-facto mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Kurti.

Pas përfundimit të takimit trilateral në Ohër, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka thënë se është i lumtur që është arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, por duke shtuar se nuk ka nënshkruar asgjë.

“Nuk kam nënshkruar asgjë. Të dy palët kemi theksuar vijat tona të kuqe, por kemi bërë përparim. Sot ishte dita kur duhej t’i përgjigjeshim planit të zbatimit. Arritëm një lloj marrëveshjeje. Jam i kënaqur, ramë dakord për disa pika. Asgjë nuk mbaron sonte, sapo fillon puna. Këshilli Evropian dhe BE-ja do të vlerësojnë se kush sa ka bërë.

Në planin e zbatimit, përveç pjesës që kemi marrë që BE-ja do ta përfshijë atë si pjesë integrale të kornizës sonë të negociatave, për ne është e rëndësishme që formimi i asociacionit ka pasur prioritet.  Kjo është arsyeja pse jam shumë i kënaqur, dhe mënyra se si u nënshkrua.

E di që pala shqiptare do të thotë edhe sonte që nuk kam firmosur asgjë dhe nuk kam firmosur.  E kemi bërë të qartë se cilat janë vijat e kuqe.  Mendoj se kemi bërë një lloj hapi dhe se do të fillojmë të bëjmë diçka”, tha Vuçiç.

Takimet e para ishin bilaterale mes ndërmjetësve dhe fillimisht Vuçiçit e më pas Kurtit dhe kanë nisur rreth orës 10:00 të mëngjesit.

Kurti ka udhëtuar drejt Ohrit mbrëmjen e së premtes, për të filluar që  në mëngjes takimet në Ohër.

Ai ka takuar krerë e shtetit maqedonas Pendarovskin dhe Kovaçevskin dhe gjithashtu kreun e BDI Ali Ahmetin dhe kryediplomatin Bujar Osmani.

Pas këtyre takimeve, Kurti ka mbajtur takime me Borell dhe Lajcak, duke vazhduar pastaj me takimin trepalësh që zgjati mbi 10 orë.

Fokus i takimit ishte diskutimi për Aneksin e Implementimit.

Nga OraNews