Nenat dhe mesuesit meritojne dhurata

Nënat dhe mësuesit meritojnë dhurata
Çfarë dhuratash preferojnë adoleshentët për Ditën e Mësuesit - 7 Marsin dhe Ditën e Nënës – 8 Marsin
Adoleshentët nuk i harrojnë festat e 7 Marsit dhe 8 Marsit

Një nga datat më të shënuara në historinë e popullit shqiptar është edhe 7 Marsi – Dita e Mësuesit. Më pak se një javë na ndanë nga kjo festë dhe nga 8 Marsi - Dita e Nënës. Çfarë dhuratash do të japin në këto festa adoleshentët, mësoni nga anketa e zhvilluar me disa prej tyre.

Arben Zymeri: Për festën e 7 Marsit, arsimtarit tim kujdestar ia kam blerë një stilolaps dhe e shfrytëzoj rastin t’i përshëndes të gjithë mësimdhënësit e mi. Gjithashtu, pa harruar edhe mësuesin tim të parë, të cilit i përkulem me dinjitet dhe respekt, se meritë e tij dhe e gjithë mësimdhënësve të mi është kjo që unë jam deri këtu ku jam tash. Na gëzon fakti që menjëherë të nesërmen kemi edhe festën e 8 Marsit dhe pikërisht për këtë kemi përgatitur disa dhurata për profesoreshat dhe për nënat tona.

Feti Zeneli: Nuk ka njerëz më të përkushtuar se sa mësuesit, të cilët bëjnë të pamundurën që nxënësit e tyre të trashëgojnë atë dije të akumuluar që do t’u hapë dyer dhe horizonte të reja për jetë. A ka dashuri më të madhe se sa dashuria dhe sakrifica e mësuesit ndaj nxënësit dhe nxënësit ndaj mësuesit. Unë, kujdestarit tim për Ditën e Mësuesit ia kam përgatitur një dhuratë, një stilolaps, të cilin e kam gravuar. Të gjithë mësimdhënësit e mi i dua shumë, mirëpo kujdestarin e klasës e veçoj prej tyre. Është një fakt i hidhur për mësimin në ditët e sotme, ku pjesa dërmuese e mësimdhënësve tanë jetojnë në skaj të varfërisë  për shkak të pagës së ulët mujore që kanë. Profesioni i mësuesit është human. Po të mos kishim mësues, nuk do të mund të ishim kështu siç jemi, prandaj mësuesi e meriton një respekt të veçantë dhe mbi të gjitha stimulim në pagë.

Fahrije Hamiti: Nuk ka mbetur shumë ditë nga Dita e Mësuesit dhe Dita e Nënës. Në këto dy data do të dhurojmë dhurata më të mira për mësuesit, nënën, motrën. Unë i kujtoj me ëndje ditët e para të shkollës, ku mësuesja më mori pranë vetes dhe më shoqëroi me nxënësit e tjerë. Po ashtu, shumë shpesh kujtoj edhe Abetaren, ku arrija që me mësuesen dhe me familjen time të mësoj shkronjat e para të alfabetit. Nga tërë këto vite kam arritur të mësoj shumë nga mësimdhënësit e mi, të cilëve u falënderohem shumë. Për  Ditën e Mësuesit kam zgjedhur kujdestarin tim për t’i bërë një dhuratë simbolike. Ndërkaq, për Ditën e Gruas, nga një dhuratë simbolike do t’ua bëjë nënës dhe  motrës sime. Nëna dhe mësimdhënësit janë ata që kanë investuar më shumë se kushdo tjetër në edukimin dhe suksesin tonë në jetë dhe nuk duhet kursyer asgjë për ta.

Alban Hamiti: Dita e Mësuesit më kujton mësuesin tim të parë, i cili më dha shumë dituri. Ai ishte dritare e hapur për mua, se më mësoi shumë gjëra. Në ditën e mësuesit shpalos kujtimet e mia të ëmbla për mësuesin tim të dashur të klasës së parë. Çdo festë klasa jonë është organizuar, ka tubuar të hollat dhe i ka blerë kujdestarit të klasës një dhuratë. Kjo festë është e veçantë edhe për ne nxënësit, siç është festa e nënës, 8 Marsi, që me ndonjë dhuratë modeste i gëzojmë nënat dhe motrat tona.

Fikrete Zeka: Padyshim se edhe unë si çdo nxënës tjetër kam përgatitur dhurata për mësimdhënësit e mi, por edhe për profesoreshat, sepse tani menjëherë pas 7 Marsit vjen 8 Marsi dhe është festa e gruas. Mësuesit janë ata që përpiqen të japin maksimumin e tyre për ne. Dihet mirë se në çfarë kushte kanë punuar mësimdhënësit tanë, të cilët ende në këto ditë po ballafaqohen me probleme të tilla. Është mëkat për udhëheqësit tanë të institucioneve, të cilët nuk po bëjnë sa duhet për përmirësimin e pozitës financiare të mësimdhënësit. Fushën e arsimit e kanë lënë shumë anash, prandaj edhe vullneti u mungon disa nga mësimdhënësve tanë. Mirëpo, sido që të jetë ata po mundohen që të na pajisin me dituri, të na bëjnë të pavarur.

Emine IMERI : Kosova-sot.info

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama