Me te bukura per 8 Mars

Me te bukura per 8 Mars
Para blerjes së mimozave, apo daljes në mbrëmje me mikeshat në diskotekë, dedikojini vetes një moment qetësimi dhe zbukurimi vetëm për ju. Ja disa trajtime që mund t’i përgatisni edhe në shtëpi, pa qenë e nevojshme të harxhoni një mal me para.

Tetë marsi është festa e gruas: të festojmë apo jo? Kjo është dilema. Cilado qoftë përgjigjja, ne femrat e lëmë gjithmonë veten pas dore, duke u marrë me punë të tjera. A nuk ka ardhur momenti që të kujdesemi më shumë për veten? Nuk ka rëndësi nëse arsyeja e ndryshimit është dita e gruas, apo rikujtimi i padrejtësive që u kanë bërë, luftërat dhe arritjet që kanë të bëjnë me botën femërore. E rëndësishme është dëshira për të përfituar nga ky pretekst për t’u dëfryer me mikeshat, për t’u çlodhur paksa dhe për t’u bërë më të bukura. Nëse nuk keni mundësi ekonomike për të shkuar në një qendër estetike të specializuar, mund të përdorni produkte kozmetike të bëra në shtëpi.

Filloni me kujdesin për lëkurën, duke përdorur një maskë me mjaltë energjidhënëse, që do t’ju ndihmojë të largoni shenjat e stresit, ndotjen dhe zakonet e këqija ushqimore. Për ta përgatitur përzieni dy lugë kos me një lugë çaji mjaltë dhe një limon. Pasi e keni pastruar lëkurën me kujdes vendosni maskën dhe lëreni të veprojë për rreth 20 minuta, pastaj shpëlajeni me ujë të bollshëm dhe në fund lyejeni fytyrën me krem hidratues.

Produktet për flokët

Doni që të keni flokë më të butë, më me shkëlqim dhe që t’i lyeni më lehtë? Përgatisni një çaj kamomili dhe lëreni bustinën brenda. Pas dhjetë minutash, shtojini çajit një lugë uthull molle dhe gjysmë avokado të grimcuar. Aplikojeni përzierjen në flokë të thatë dhe lëreni për njëzet minuta. Pastaj vazhdoni me larjen si zakonisht. Duke përdorur këtë lloj maske mund t’i thoni lamtumirë flokëve tuaj pa shkëlqim.

Kujdesi për trupin

Edhe trupi kërkon kujdes të veçantë, ashtu si çdo pjesë tjetër e tij. Aplikoni fillimisht në trup një skrab, pastaj provoni një dush kundër celulitit. Mbushni një tas me kripë të imët pastaj shtojini ujë deri sa masa të bëhet e njëtrajtshme. Me lëvizje ngjitëse-zbritëse përhapeni këtë skrab në të gjithë trupin duke shmangur gjoksin dhe qafën: në këtë mënyrë do të eliminoni të gjitha helmet dhe lëkurën e vdekur. Pasi ta keni shpëlarë trupin nga kripa, futuni në një vaskë me ujë të nxehtë, ku ndërkohë keni tretur edhe dy gota me kripë deti, keni hedhur 5 pika vaj selvie, 5 pika vaj limoni, 5 pika esencë livande, 5 pika vaj portokalli të hidhur dhe 5 pika vaj rozmarine.

Trukimi (lyerja)

Shpeshherë kemi shumë pak kohë në dispozicion për t’u veshur dhe për të dalë. Herë të tjera na mungon grimi i duhur për rastin; megjithatë me pak vendosmëri gjithçka i gjendet ilaçi dhe mund të zbukuroheni sa hap e mbyll sytë. Për shembull, nëse doni të vishni një fustan të hapur për një mbrëmje të rëndësishme, por nuk mundeni sepse jeni shumë e bardhë, mos u trishtoni. Zgjidhja do të ishte përdorimi i kremrave nxirës. Mund të lyeni shpatullat dhe dekoltenë, duke zgjidhur kështu përfundimisht problemin tuaj. Gjithashtu mund të eksperimentoni edhe me grimin, duke krijuar hibride me ruzhin e faqeve dhe fondotinën. Nëse doni të jeni në lartësinë e duhur gjatë gjithë mbrëmjes, mos abuzoni me alkoolin, sepse njëra shishe tërheq tjetrën e kështu me radhë. Të humbasësh kontrollin nuk është asnjëherë e hijshme.
Këpucët e larta

I urreni këpucët me taka? Para se t’i vishni, fërkojini këmbët me pak vaj menteje për t’i “ringjallur” dhe freskuar. Të njëjtën gjë bëni edhe pasi të ktheheni në shtëpi. Masazhi ju çlodh muskujt.

Humori i mirë

Nuk jeni zgjuar mirë? Për të rikthyer humorin, ndërkohë që nuk jeni ngritur ende nga shtrati, shtriqini ngadalë duart dhe këmbët duke formuar një yll dhe qëndroni ashtu për disa sekonda duke marrë frymë thellë dhe duke u frymëzuar. Pastaj me qetësi ngrihuni dhe dilni për të bërë një shëtitje të shkurtër. Ajri i pastër dhe aktiviteti fizik do t’ju mbushin me energji pozitive. Më pas mund të bëni një dush me ujë të nxehtë dhe të përdorni një skrab për të eliminuar qelizat e vdekura të epidermës. Lyhuni pak, duke përdorur një “make up” natyral dhe vishuni thjesht e komode.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama