Vrasja e efektivit/ Lala: Duhet hetim i thelluar, kemi një dëshmor por asnjë dorëheqje!

4 Qershor 2026
Gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar se duhet një hetim i thelluar për ngjarjen në Maliq ku mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli.
Sipas gazetares, deklarata e kreut të Policisë së Shtetit Skënder Hita tregoi se ka patur një anashkalim të rrugës institucionale nga Policia e Korçës dhe nëse është kështu duhet të mbahet përgjegjësi penale nga zyrtarët e lartë të kësaj DVP.
“Kjo ngjarje është shumë e rëndë dhe tregon se forcat e policisë duhet të kenë tjetër qasje për aksionet për personat e kërkuar.
Nëse ka pasur operacioni të posaçëm, pse nuk janë thirrur RENEA apo forca speciale. Është anashkaluar rrezikshmëria që kishte ky person.
Duhet të ketë hetim të thelluar për këtë ngjarje dhe përgjegjësi institucionale.
Po ta shohësh me kujdes, pati dhe një deklaratë nga Hita dhe nuk më bëri shumë sens se tha se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nuk ka patur dijeni për këtë operacion. Nëse Policia Korçë ka anashkaluar rrugën institucionale dhe s’ka lajmëruar eprorët, minimalisht ka shpërdorim detyre dhe duhet të ketë përgjegjësi penale ndaj zyrtarëve të Policisë së Korçës.
Kemi një dëshmor, por s’kemi minimalisht një dorëheqje”, tha gazetarja
