17 Gusht 2026

Sot zhvillohet protesta e 79-të e qytetarëve, të cilët pritet të mblidhen sërish në shesh, në vijim të protestave të përditshme kundër qeverisë.

Protestuesit kërkojnë ndryshimin e klasës politike dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, së bashku me qeverinë e tij. Një tjetër kërkesë e tyre është krijimi i një qeverie teknike, me qëllim organizimin e zgjedhjeve të reja.

Në listën e kërkesave të protestuesve është edhe anulimi i disa ligjeve, mes tyre ligji për investimet strategjike.

Qytetarët akuzojnë kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij për korrupsion dhe kërkojnë ndryshime politike.

Ndërkohë, për tre ditë me radhë, më 14, 15 dhe 16 gusht, sheshi u mbush me qytetarë. Pjesëmarrja ka qenë veçanërisht e lartë edhe për shkak të ardhjes së qytetarëve nga diaspora, të cilët iu bashkuan protestave gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri.