Jared Kushner mbërrin në Izrael, pritet të takohet me Netanyahun për planin e paqes në Gaza

Gaza
17 Gusht 2026
I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Jared Kushner, ka mbërritur në Izrael, ku pritet të takohet sot me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, raporton BBC.
Vizita e Kushner vjen pasi ai zhvilloi bisedime me përfaqësues të Hamasit, në kuadër të përpjekjeve për zbatimin e planit amerikan për paqen në Gaza.
Muajin e kaluar, “Bordi i Paqes”, struktura e krijuar nga presidenti Trump, njoftoi se ishte arritur një marrëveshje për “çarmatimin e plotë” të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gaza.
Plani amerikan prej 15 pikash parashikon gjithashtu tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza dhe rindërtimin e territorit nën administrimin e një strukture të re civile palestineze.
Megjithatë, Izraeli e ka kundërshtuar planin, duke krijuar një përplasje të re diplomatike me administratën amerikane. Të dielën, tetë vende myslimane lëshuan një deklaratë të përbashkët, duke dënuar refuzimin e Izraelit.
Sipas një zyrtari palestinez, Kushner u takua të dielën në Egjipt me një delegacion të Hamasit të drejtuar nga lideri i ri i grupit, Khalil al-Hayya.
Pas takimit, Hamasi u bëri thirrje ndërmjetësuesve dhe “Bordit të Paqes” që të ushtrojnë presion ndaj Izraelit për të miratuar udhërrëfyesin për hapat e ardhshëm të planit.
