2 Tetor 2026

Gjendja e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ka rënë në një nivel alarmant, ku ligji dhe afatet janë shndërruar thjesht në letër, ndërsa institucioni ka dështuar në misionin e tij kryesor: dhënien në kohë të rekomandimeve për luftën ndaj korrupsionit dhe keqqeverisjes. Përgjegjësi kryesor për këtë paralizë institucionale dhe skandale të njëpasnjëshme është kreu i KLSH-së, Arben Shehu, i cili me veprimet dhe mosveprimet e tij ka cenuar rëndë transparencën, koherencën dhe relevancën e auditimeve.

Në vend që të ushtrojë kompetencat për të garantuar evadimin në kohë të raporteve, Arben Shehu ka zgjedhur të mbajë hapur procese auditimi në fazë terreni për vite të tëra, duke i nxjerrë totalisht ato jashtë çdo konteksti kohor dhe logjike institucionale. Kjo qasje ka shkatërruar çdo standard të integritetit profesional, duke e kthyer institucionin në një instrument mbrojtjeje përmes heshtjes dhe zvarritjes së qëllimshme.

Në dokumentet që ka siguruar gazeta “SOT” të 20 audituesve dhe ish-audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, drejtuar deputetëve të Kuvendit, ngrihen një sërë problematikash mbi mënyrën se si janë zhvilluar auditimet në KLSH gjatë periudhës 2020-2025, veçanërisht gjatë viteve 2023-2025.

Shkelja flagrante e ligjit dhe standardeve ndërkombëtare

Sipas dokumenteve zyrtare dhe ligjit nr. 154/2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e KLSH-së”, si dhe standardeve ndërkombëtare të INTOSAI-t (ISSAI-IFPP 20P) dhe Rregullores së Procedurave të Auditimit të miratuar vetë nga Arben Shehu (Vendimi nr. 7, datë 17.01.2024), çdo fazë e auditimit ka afate të rrepta kohore:  Projekt Raporti i Auditimit (PRA): Duhet të përgatitet brenda 15-22 ditëve pune nga përfundimi i punës në terren.

Raporti Përfundimtar i Auditimit (RPA): Dërgimi i tij bashkë me kontrollin e cilësisë dhe vendimmarrjen e titullarit nuk duhet të zgjasë më shumë se 25 ditë pune. Por nën drejtimin e Arben Shehut, përjashtimi është bërë ligj dhe ligji është bërë përjashtim.

Si pasojë e moszbatimit të asnjë afati, proceset e auditimit zvarriten me muaj dhe vite, duke fshehur shkeljet dhe duke dështuar në parandalimin e abuzimeve me fondet publike. Vonesat e pajustifikuara në dërgimin e raporteve përfundimtare apo të projekt-raporteve kanë krijuar një hije të rëndë dyshimi mbi paanësinë e KLSH-së.

Manipulimi i planeve dhe zvarritja e auditimeve për institucionet kyçe

Sipas ekspertëve, Arben Shehu ka përdorur skemën e ndryshimit të vazhdueshëm të programeve të auditimit, shtyrjes së afateve në terren, ndryshimit të periudhave nën auditim dhe lëvizjes së anëtarëve të grupeve për të zvarritur pa fund proceset. Konkretisht:  Autoriteti Portual Durrës (APD): Auditori i nisur që në korrik të vitit 2023 (për periudhën 2020-2022) është zvarritur në mënyrë skandaloze përmes ndryshimeve të planeve deri në vitin 2026, duke manipuluar situatën gjoja si auditim i ri ndërkohë që mbahej peng nga Arben Shehu pa u procesuar.

Bashkia Tiranë: Auditim i nisur që më 26.06.2023, i cili ka pësuar ndryshime të programit mbi 15 herë dhe është shtyrë pafundësisht nga Arben Shehu, duke kapur një afat terreni prej afro 3 vitesh (deri në prill 2026), ndërkohë që përgjegjësit e grupit e kanë njoftuar zyrtarisht se objektivat nuk po realizoheshin për shkak të mbingarkesës dhe angazhimeve paralele të urdhëruara po nga titullari.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) dhe Projektet në Vlorë: Auditimet për rikualifikimin e zonës urbane të Vlorës dhe projektet e FSHZH-së të nisura që në vitin 2023 janë shtyrë sistematikisht nga Arben Shehu, duke bërë që faza e terrenit të zgjasë mbi 3 vite e 4 muaj (deri në janar 2026), duke shkatërruar çdo standard të kohëzimit dhe efikasitetit.

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT): Auditim i nisur në nëntor të vitit 2023 dhe i zvarritur deri në janar 2026, duke zgjatur për 2 vite e 3 muaj, ku Arben Shehu ka ndryshuar tre grupe auditimi dhe ka shtuar periudha për të justifikuar mosfinalizimin në afat.  Inceneratori i Tiranës: Auditim i planifikuar që në vitin 2020, i cili u zvarrit nga Arben Shehu përmes ndryshimit të llojit të auditimit (nga përputhshmëri në performancë) dhe u evadua përfundimisht vetëm pas 1 viti e 7 muajsh (në qershor 2022), me vonesa prej 6 muajsh në dërgimin e raporteve, duke shkelur çdo parim të relevancës.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU): Një tjetër proces i nisur në prill të vitit 2023 dhe i zvarritur ndër vite përmes ndryshimeve të herëpashershme të periudhave dhe raporteve që nuk gjenden as në raportet e performancës së KLSH-së.  Inceneratori i Tiranës: Auditim i planifikuar fillimisht në vitin 2020 nga Departamenti i Auditimit të Aseteve dhe Mjedisit si “Auditim përputhshmërie” (për periudhën 01.01.2018-31.12.2019), me fazë terreni nga 22.09.2020 deri në 31.10.2020 dhe Raport Përfundimtar të parashikuar më 25.11.2020 me grupin e auditimit të përbërë nga O. Levani P/G, V. Berisha, B. Lamaj dhe eksperti i jashtëm Xhino Dragu.

Në kundërshtim me çdo afat, ky auditim u zvarrit dhe u end ndërmjet ndryshimeve të llojit nga “përputhshmëri” në “performancë dhe përputhshmëri” e në “performancë” përmes planeve të vitit 2021 dhe 2022 (me grupin e ri të përbërë nga M. Berdo P/G, K. Anastas, R. Karapici dhe A. Gjikaj/Gjika), duke u evaduar përfundimisht vetëm më 30.06.2022—pra një proces që zgjati plot 1 vit e 7 muaj.

Konkretisht, dërgimi i Projekt Raportit të Auditimit në subjekt u vonua për 6 muaj (duke e çuar 5 muaj mbi afatin e rregullores), kurse dërgimi i Raportit Përfundimtar u zvarrit gjithashtu për 6 muaj (3 muaj mbi afatet e lejuara). Referuar këtij procesi, KLSH duhet të kishte nxjerrë konkluzionet që prej 25.11.2020 për të përmirësuar situatën në kohë, por pavarësisht ndryshimeve programore, Arben Shehu e la në tejkalim dhe vonesë të tejskajshme me 8 muaj në dhënien e rekomandimeve, duke shkatërruar koherencën dhe relevancën e auditimit.

Përgjegjësia personale e Arben Shehut

Të gjitha këto veprime dëshmojnë se Arben Shehu, si i vetmi person që ka të drejtën ligjore të ndryshimit të programeve dhe angazhimit të audituesve, ka instaluar një praktikë abuzive të qëllimshme. Përmes mbajtjes hapur të raporteve për muaj e vite të tëra (me vonesa që shkojnë nga 5 deri në 9 muaj vetëm për dërgimin e Projekt Raporteve), Arben Shehu ka lënë subjektet e audituara pa rekomandime në kohë, duke i bërë gjetjet e KLSH-së të pavlera dhe duke mbrojtur përmes zvarritjes paligjshmërinë në institucionet shtetërore.

Në vend që të udhëhiqet nga parimet e ligjshmërisë dhe interesit publik, drejtimi aktual i KLSH-së është shndërruar në mburojë të skemave korruptive, duke kërkuar llogari formale ndërsa zhduk thelbin e kontrolleve financiare në vend.

Nga Gazeta Sot