2 Tetor 2026

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për gjetjen e pasurive të fshehura të ish-zëvendëskryeministres dhe deputetes së Partisë Socialiste, Belinda Balluku, brenda dhe jashtë vendit duket se kanë vazhduar me intensitet. “Alfapress.al” ka mësuar se prokurorët e çështje në bashkëpunim me homologët italianë, kanë zbuluar një pasuri tjetër të Ballukut në një nga vendet më ekskluzive të bregdetit të Italisë.

Bëhet fjalë për një vilë luksoze në Sardenjë, e cila dyshohet se i përket asaj, por është kamufluar në emrin e personave të tjerë. Mësohet se “gjuetia” e pasurive dhe parave të Ballukut është shtrirë në disa vende në Europë, në të cilat po bashkëpunohet ngushtë me institucionet e zbatimit të ligjit. Gazeta “SOT” raportoi në artikullin e kaluar se hetimet e deritanishme kanë vënë në shënjestër disa nga investimet më të shtrenjta në kryeqytet, ku përfshihet një vilë moderne e pajisur me pishinë private në zonën elitare të Liqenit të Thatë, si dhe një godinë me funksion hotelerie me sipërfaqe të konsiderueshme fare pranë qendrës së Tiranës.

Të dyja këto pasuri, sipas burimeve nga grupi i hetimit, rezultojnë të regjistruara në emër të personave të tretë dhe bashkëpunëtorëve të afërt, por që nga verifikimet indirekte logjistike dhe financiare dyshohet se kanë si përfituese fundore ish-zyrtaren e lartë të qeverisë. Paralelisht me objektet në Tiranë, fusha e kërkimit të SPAK-ut është zgjeruar edhe në brendësi të vendit, ku një tjetër pronë luksoze në qarkun e Dibrës pritet t’i shtohet listës së sekuestrimeve apo verifikimeve pasurore.

Siç raporton gazetarja Anduena Llabani, bëhet fjalë për një godinë të njohur prej vitesh në zonë si një nga vilat e pritjeve qeveritare, e cila në letrat e pronësisë figuron në emër të personave me lidhje të ngushta familjare me Ballukun. Megjithëse struktura e posaçme nuk ka dalë ende me një njoftim zyrtar për këtë pasuri të caktuar, veprimet e fundit hetimore në terren dhe mbledhja e dokumentacionit në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive lënë të kuptohet se kjo vilë në Dibër është hapi i radhës drejt zbardhjes së të gjithë rrjetit të pasurive të fshehura.

Vilat e sekuestruara

Kujtojmë se SPAK njoftoi disa ditë më parë se me kërkesë të saj Gjykata ka vendosur sekuestrimin e një tjetër vile, në Palasë, “në pronësi faktike” të Ballukut, por të fshehur edhe këtë herë nën emrin e ish futbollistit të njohur të kombëtares, Igli Tare. Vila, sipas Prokurorisë së Posaçme, është marrë në këmbim të të favorizimit të shoqërisë “Alko Impex General Construction”, e shpallur fituese bashkë me një kompani tjetër, në tenderin prej afro 30 milion eurosh (me TVSH) për lotin 7 të Unazës së madhe të Tiranës. Përveç dyshimeve për shkelje të barazisë në tendera në 8 raste (Tuneli i Llogarasë, 6 lote të Unazës së Madhe dhe ndërtimi i rrugës Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana), për korrupsion e pastrim parash, Ballukut i është shtuar dhe një tjetër vepër penale, ajo e “mosdeklarimit apo fshehjes së pasurisë”.

Vila e dytë e sekuestruar sot nga SPAK,gjendet në kompleksin “Green Coast” në Palasë. Ajo ka një sipërfaqe trualli prej 478 metrash katrorë, dy kate me një sipërfaqe totale prej 271.2 metra katrorë dhe dy garazhe njëri 20 dhe tjetri 40 metra katrorë. Më herët Spak i kishte sekuestruar një vilë, po në bregdetin e jugut, në kompleksin “Ëhite Rock” në Dhërmi, edhe kjo e regjistruar në emër të Tares. Në këtë rast, Prokuroria e Posaçme kishte shpjeguar se ajo kishte qenë fryt I një ryshfeti, në këmbim të një tenderi që ajo kishte dhënë për rindërtimin e godinës së Albcontrol-it, në kohën kur kishte drejtuar këtë institucion.

Në njoftimin e SPAK-ut, shpjegohet se për të fshehur vilën në Palasë, “Balluku ka përdorur shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive nëpërmjet kontratës së sipërmarrjes, datë 26.10.2020, në shumën 250,000 Euro, vlerë që përfshinte investimin deri në ndërtimin e pasurisë në fazën e karabinasë”. Më tej në lojë ka hyrë Arbër Abazi, pronar i “Alko Impex General Construction”, fituese në tenderin e Unazës së Madhe, i cili sipas Spak ka marrë përsipër pjesën tjetër të investimit “vlera e të cilit varion nga 288,616 Euro deri në 410,526 Euro”. Kur gjithçka ka përfunduar “Balluku ka përdorur sërish shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive të mëtejshme në lidhje me krijimin e dokumentacionit të pronësisë, për regjistrimin e kësaj prone në emër të shtetasit Igli Tare, sipas kontratës fiktive të shitjes, datë 12.09.2025”.

Për këtë rast nën akuzë ka përfunduar sipërmarrësi Abazi, i dyshuar për “Korrupsion aktiv”, si dhe kompania e tij. E po ashtu dhe Igli Tare, sërish i dyshuar për ‘pastrim parash”. Në muajin korrik, BKH kishte kryer kontrolle te vila në palasë si dhe në zyrat e Abazit dhe Tares. Ky i fundit u thirr në Spak dhe 10 ditë më parë, ku u mor në pyetje, për më shumë se 3 orë. Për Ballukun janë në fuqi dy masa sigurie, ‘ndalim për të dalë jashtë vendit’ dhe ‘pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike’. Fillimisht Belinda Balluku u mor e pandehur 31 tetorin e vitit 2025 vetëm për tunelin e Llogarisë, tender me vlerë 190 milionë euro.

Më pas SPAK njoftoi se e akuzonte zyrtarisht ministren e asaj kohe edhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe, ndërkohë që vijonte hetimet për të gjithë këtë projekt madhor. Për të shtata procedurat tenderuese të Unazës së Madhe, SPAK ka biseda të Belinda Ballukut me vartësit e saj, të gjetura kryesisht nga telefoni i kreut të ARRSH Ervis Berberi.

SPAK thotë në dosje se nga provat ka rezultuar se Belinda Balluku, duke qenë në cilësinë e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, edhe pse formalisht kompetencat ia delegonte vartësve të saj, i ndiqte personalisht procedurat e tenderave, nga faza përgatitore, dorëzimin dhe vlerësimin e ofertave, e deri në momentin e lidhjes se kontratës me operatorët ekonomik fitues. Ndërkohë vijon hetimi për korrupsion e pastrim parash, lidhur me dy tenderë me vlerë mbi 1 mln euro në kohën kur Balluku ishte drejtoreshë e Përgjithshme e “Albcontrol”.