11 Nentor 2023

Statistikat zyrtare tregojnë se vepra penale “Shpërdorimi i detyrës” është vepra më e përdorur nga drejtësia kundër pushtetarëve.

Por së fundmi janë shtuar zërat se kjo vepër penale do të hiqet nga Kodi Penal. 

Këta zëra nuk i mohoi as Sekretari i Përgjithshëm i LS, Blendi Klosi, kur u pyet dje në një media për këtë çështjet. Gjatë intervistës, ai konfirmoi se po punohet për një Kod të ri Penal modern. Megjithëse tha se nuk dinte detaje, zoti Klosi shfrytëzoi rastin për t’u treguar i hapur për bisedime me opozitën në parlament. Ai nuk përcaktoi se me cilën opozitë, por tha se duhet një konsensus i gjerë, duke qenë se PS nuk ka 84 votat që duhen për miratimin e Kodit.

Të paktën s’i ka për këtë legjislaturë, pasi për vitin 2025 Blendi Klosi bëri parashikime të rëndësishme elektorale. “Po, PS e ka shprehur hapur që kemi nevojë të rishikojmë Kodin. Po punohet për lehtësimin e këtij kodi. Është një punë e mirë e bërë nga Ministria e Drejtësisë dhe do të jetë pjesë e diskutimit publik. Kodi Penal është vendimmarrje me shumicë të cilësuar. Kërkon diskutim dhe dakordësim me opozitën, pasi ne nuk i kemi 84 vota dhe një forcë e vetme politike s’i ka patur asnjëherë. Mesa po duket, pas 2025-ës do t’i kemi më shumë. Nuk di detaje, por di të them që po punohet me kërkesat që ka koha. Ajo që kam informacion është që Ministria e Drejtësisë po punon me juristë për të realizuar ndryshimet të mira të Kodit Penal”, nënvizoi Klosi.