SPAK godet krimin, sekuestrohet biznesi me flotë luksoze elektrike i klanit “Çopja” të Elbasanit, nga 28 ton kokainë te makinat e taksitë në Tiranë
23 Tetor 2026
Si pastroheshin paratë e gjakut te “Check Company”.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka sekuestruar një kompani dhe 24 automjete me vlerë 77 milionë lekë, një tjetër goditje ndaj grupit të “Çopjave” të Elbasanit. Makinat ndodhen në pronësi të Franci Canajt, i arrestuar në qershor 2025 për plagosjen e një taksisti. Ndërsa Albin Çelës, i është sekuestruar edhe një tokë arë me sipërfaqe 2000 metër katrorë. Grupi kriminal akuzohet se ka trafikuar në Evropë 28 ton kokainë në 2 episode të ndryshme, nga të cilat 17 ton janë sekuestruar. Vëllezërit Çopja janë përfshirë në përplasje të përgjashkshme dhe akuzohen në lidhje me ngjarje kriminale, përfshirë katër vrasje me gjashtë të vrarë dhe dy të plagosur, dy vrasje të mbetura në tentativë, katërmbëdhjetë vepra penale në formën e sigurimit të mjeteve për të kryer vrasje. Nga krerët e grupit, Franc Gergely (Çopja) është arrestuar në Dubai dhe është ekstraduar për në Belgjikë, ku përballet me akuza për vrasje.
NJOFTIMI I SPAK
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të procedimit penal nr. 187 të vitit 2023 ka zhvilluar paralelisht edhe hetimin pasuror. Ky hetim ka identifikuar pasuri që përbëjnë produkte të veprimtarisë kriminale në emër të subjekteve në hetim dhe familjarëve të tyre. Me vendimin nr.667, datë 14.10.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë caktoi masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të shtetasve A.Ç. dhe F.C., me vlerë totale 77.000.000 lekë. Në emër të shtetasit A.Ç: Pasuria nr. 349/47, zona kadastrale 3321, vol. 12, faqja 5, “Tokë Arë”, me sipërfaqe 2000 m2, e ndodhur në Sharrë, Tiranë, në pronësi edhe të shtetases A.Ç. Në emër të shtetasit F.C: Kuota 100% të shoqërisë tregtare ‘Check Company Sh.p.k, në rrugën e Dibrës, Tiranë. Gjithsej janë 24 automjete Volkswagen (modeli Ioniq5 dhe ID3, ID4 ) dhe 1 Toyota (modeli bZ3) në pronësi të kësaj kompanie.
Veprat penale në hetim
· Procedimi penal nr. 187/2023 përfshin veprat penale të parashikuara nga nenet 283/a, 287, 333/a dhe 334 të Kodit Penal:
· Trafik i lëndëve narkotike;
· Pastrim i produkteve të veprës penale;
· Grup i strukturuar kriminal;
· Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.
Shtetasit nën hetim janë: E.Ç, A.Ç, A.Ç (alias D.Ç), F.B (alias J.B), D.D, P.L (alias P.S.), F. G (alias F.Ç, alias F.H.Ç, S.P (alias V.P), G.Ç, R.M, M.K, M. M, E. Ç, R.Ç, K.Gj dhe D.P.
Rrjedha e hetimit
Organizata kriminale me shtrirje të gjerë ndërkombëtare bashkëpunonte me grupe të tjera kriminale për të lehtësuar transportet e lëndëve narkotike drejt porteve evropiane dhe investonte fitimet e mëdha në prona dhe biznese në Shqipëri dhe jashtë saj. Hetimet përfshinë bashkëpunimin intensiv me EUROPOL dhe autoritete nga Belgjika, Franca, Holanda, Gjermania dhe Italia, u bazuan në analizën e të dhënave të komunikimit të enkriptuara të platformës SkyEÇ. Nga këto hetime janë zbuluar dërgesa shumëtonëshe kokaine nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së, përfshirë Hamburgun, Anversin etj. Gjithashtu janë evidentuar rolet përkatëse të secilit prej pjesëtarëve të grupit kriminal si dhe është dokumentuar i gjithë zinxhiri i transferimit të shumave monetare të përfituara nga aktiviteti kriminal. Në kuadër të këtij procedimi penal janë caktuar masa të sigurimit personal ndaj 16 personave. Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë?, njoftoi dje SPAK gjatë një reagimi për mediat.

