Jepen në përdorim kalatë e Rozafës, Kaninës, Prezës dhe Petrelës nga Ministria e Kulturës. Qztetareve ju mbetet vetem Muzeu Hebraik.

Kalaja_Rozafa_Shkoder
23 Tetor 2026
Dhënia në përdorim e ambienteve të shërbimit në kalatë e Rozafës, Kaninës, Prezës dhe Petrelës nga Ministria e Kulturës ka rikthyer në vëmendje debatin mbi menaxhimin e monumenteve të kulturës dhe garancitë për mbrojtjen e tyre. Nisma për t’i vënë këto hapësira në funksion të aktiviteteve private ngre pikëpyetje mes specialistëve të trashëgimisë kulturore, veçanërisht për mënyrën se si do të sigurohet ruajtja e vlerave historike dhe arkitektonike të kalave, si dhe për rolin e institucioneve përgjegjëse në mbikëqyrjen e ndërhyrjeve.
Piktori dhe restauratori Adrian Devolli, ndërsa nuk e kundërshton përfshirjen e operatorëve privatë, vë në dukje dobësimin e rolit të institucioneve të trashëgimisë, duke theksuar se Instituti i Monumenteve, sot Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK), nuk e ka më peshën dhe funksionin që kishte dikur në garantimin e mbrojtjes së monumenteve. “Kjo praktikë ndodh edhe në botë, por ka disa kushte që janë shumë strikte. Në përgjithësi, ai që merr kalanë ka për detyrë të bëjë restaurimin e sipërfaqes në bazë të projektit të institutit përkatës të monumenteve. Një shok më tha se kishin marrë një në Francë dhe janë të detyruar të ndjekin procedurën shkencore të institutit përkatës të monumenteve. Pra, mund të bëhet aktivitet brenda kalasë, por nuk duhet të prishet konfiguracioni i saj. Nga Ministria e Kulturës duhet që kur kalaja i jepet një subjekti të caktuar, të ketë bashkëpunim me Institutin e Monumenteve, nëse ekziston sot si dikur, pasi nuk është si dikur më, dhe të përcaktohen detyrat e pronarit, përfshirë detyrimin që ai ka ndaj shtetit për mirëmbajtjen e saj”, shprehet Devolli në një reagim të tij.

Kontrata të detajuara dhe mbikëqyrje nga IKTK-ja
Devolli thekson se përfshirja e operatorëve privatë në administrimin e hapësirave brenda kalave duhet të shoqërohet me kontrata të detajuara, të hartuara në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, ku të përcaktohen qartë përgjegjësitë për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e monumenteve. “Aktiviteti privat nuk duhet të prishë konfiguracionin e kalasë, por ka edhe detyrime për mirëmbajtjen e saj, të cilat ligjet evropiane i kanë të përcaktuara me rregulla të qarta. Nuk jam kundër, por ai që do të marrë sipërfaqen e kalasë duhet të ketë një kontratë shumë të detajuar, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, ku të përcaktohen detyrimet që ka ndaj IKTK-së dhe shtetit shqiptar për mirëmbajtjen e kalasë”, shprehet Devolli në një reagim të tij.
Duke iu referuar ndërhyrjeve në monumentet e trashëgimisë kulturore, restauratori sjell si shembull Kalanë e Petrelës, për të cilën shprehet se punimet e kryera kanë cënuar konfiguracionin dhe siluetën e saj. “Subjekti që do ta marrë duhet patjetër të jetë në bashkëpunim me IKTK-në, ku të përcaktohen qartë detyrimet e tij ndaj objektit, sepse nuk ka kuptim që objekti të ndryshojë konfiguracionin. Edhe në vendin tonë kemi shembuj të tillë. Madje, në Kalanë e Petrelës, ajo që është bërë ka prishur konfiguracionin, ndërhyrja duhet të ishte brenda mureve dhe jo të prishte siluetën e kalasë”, thotë Devolli. Piktori Adrian Devolli ka qenë restaurator pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës nga viti 1979 deri më 1987.
Devolli ka ngritur edhe më herët shqetësime për problematikat që lidhen me trashëgiminë kulturore në vendin tonë, duke kërkuar më shumë përgjegjësi nga institucionet për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e monumenteve historike. Në qëndrimet e tij, ai ka vënë theksin te nevoja që ndërhyrjet në këto pasuri të bëhen mbi baza shkencore dhe nën mbikëqyrjen e specialistëve, në mënyrë që zhvillimi i aktiviteteve të reja të mos cënojë vlerat historike dhe arkitektonike. Sipas tij, mbrojtja e trashëgimisë kërkon jo vetëm rregulla të qarta, por edhe institucione që ushtrojnë realisht përgjegjësitë e tyre.
Pikëpyetje mbi transparencën dhe rreziqet që shoqërojnë shfrytëzimin ekonomik të siteve historike
Shqetësimeve të specialistëve të trashëgimisë kulturore u bashkohet edhe artisti Sead Kazanxhiu, një zë aktiv në jetën kulturore të vendit, i cili e sheh shfrytëzimin ekonomik të siteve historike si një mundësi zhvillimi, por edhe si rrezik për trashëgiminë në kushtet e mungesës së transparencës dhe kritereve të qarta. Ai thekson se kultura mund të jetë motor zhvillimi ekonomik, vetëm nëse aktivitetet tregtare zhvillohen në mënyrë të kontrolluar dhe pa dëmtuar monumentet. “Përpjekja për të instaluar një kulturë që gjeneron ekonomi përmes siteve historike është një nismë sa e mirë, aq edhe e rrezikshme. Në vendin tonë ende nuk është konsoliduar mentaliteti se kultura mund të shërbejë si motor zhvillimi ekonomik. Personalisht, e mbështes parimisht idenë që kultura të gjenerojë ekonomi, ashtu siç ndodh në shumë vende të botës, ku hapësirat muzeale gërshetohen me dyqane suveniresh apo shërbime gastronomike në mënyrë të proporcionuar dhe pa dëmtuar monumentin.
Sidoqoftë, për të funksionuar, ky proces kërkon kritere strikte dhe transparencë absolute, gjë që mungon në realitetin tonë”, shprehet ai. Lidhur me dhënien në përdorim për deri në 20 vjet të ambienteve në kalatë e Rozafës, Kaninës, Prezës dhe Petrelës, Kazanxhiu rendit një sërë problematikash, nga mungesa e transparencës dhe konsultimet fiktive te rreziku që përfitimet ekonomike të mos kthehen në shërbim të monumenteve dhe të skenës kulturore lokale. “Përvoja e deritanishme ka treguar se përdorimi i këtyre siteve me qëllim fitimin ekonomik shpesh i ka degraduar ato në vend që t’i zhvillojë. Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së transparencës në dhënien në përdorim dhe mospërcaktimit apo moszbatimit të kritereve strikte dhe të panegociueshme për mbrojtjen e tyre. Kemi parë raste ku këto hapësira janë betonizuar dhe vandalizuar nga mosrespektimi i legjislacionit në fuqi.
Konsultime fiktive dhe klientelizëm nga Ministria e Kulturës: Sot ndodhemi përballë një Ministrie të Kulturës që organizon takime dhe konsultime thjesht fiktive. Ato nuk reflektojnë fare sugjerimet e ekspertëve apo të skenës kulturore në vend, por përdoren sa për të kaluar radhën. Më pas, vazhdohet me të njëjtën metodologji klienteliste, duke ua ofruar këto site personave të afërt me pushtetin. Kjo mënyrë veprimi e dëmton rëndë historinë dhe trashëgiminë tonë kulturore. Moskthimi i të mezipriturave në shërbim të kulturës: Në një sistem që funksionon, të pyeturat ekonomike nga këto site nuk duhet t’u shërbejnë vetëm biznesit privat. Ajo ekonomi duhet të kthehet mbrapsht në shërbim të vetë monumentit (për mirëmbajtje e pasurim) dhe në mbështetje të skenës kulturore lokale. Sot tek ne, vlera e trashëgimisë nuk shihet si e tillë, por thjesht si një hapësirë për shfrytëzim”, shprehet Sead Kazanxhiu.
Në përfundim, artisti Sead Kazanxhiu paralajmëron se dhënia në përdorim e siteve historike për një periudhë deri në 20 vjet, pa garanci të forta mbrojtëse dhe transparencë, rrezikon të dëmtojë në mënyrë të pakthyeshme trashëgiminë kulturore kombëtare. “Modeli i shfrytëzimit ekonomik të kulturës mund të funksionojë vetëm atëherë kur ka kritere të panegociueshme mbrojtëse, zbatim rigoroz të ligjit dhe gjithëpërfshirje të ekspertëve, dhe monitorim periodik. Për sa kohë që proceset drejtohen nga vendimmarrje klienteliste dhe dëgjesa fiktive, dhënia e këtyre hapësirave për 20 vjet përbën një rrezik serioz për tjetërsimin dhe dëmtimin e pakthyeshëm të trashëgimisë sonë kombëtare”, thotë Kazanxhiu.
Katër kalatë ofrojnë ambiente shërbimi përmes konkurrimit, kontrata deri në 20 vjet
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka shpallur katër procedura konkurrimi për dhënien në përdorim të ambienteve të shërbimit brenda kalave të Rozafës, Kaninës, Prezës dhe Petrelës, me një sipërfaqe totale prej 700 metrash katrorë. Hapësira më e madhe, prej 300 metrash katrorë, ndodhet në Kalanë e Kaninës, në Vlorë, ndërsa në Kalanë e Rozafës, në Shkodër, është përcaktuar një ambient prej 200 metrash katrorë në oborrin e tretë. Dy hapësirat e tjera, nga 100 metra katrorë secila, ndodhen në oborret e kalave të Prezës dhe Petrelës.
Kontratat parashikohen për një periudhë deri në 20 vjet, me të drejtë rinovimi, ndërsa investimet për vënien në funksion të ambienteve do të financohen nga operatorët fitues. Procedurat, të publikuara në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare më 19 tetor 2026, synojnë t’u japin këtyre hapësirave funksione shërbimi përmes investimeve private. Megjithatë, duke qenë se bëhet fjalë për monumente kulture të kategorisë së parë, mbetet thelbësore që çdo aktivitet të zhvillohet në përputhje me legjislacionin për trashëgiminë kulturore dhe të garantojë ruajtjen e vlerave historike e arkitektonike të kalave.
