26 Shtator 2022

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur 2 tenderë që kanë në fokus sistemimin dhe rivitalizimin e dy segmentëve të rrugës së Arbrit. Vlera e dy tenderëve kalon shifrën e 2 miliardë lekëve. Tenderi i parë është ai për sistemimin dhe rivitalizimin e skarpatave në Shkallën e Tujanit, pjesë e Rrugës së Arbrit që lidh rajonet e Tiranës dhe Dibrës. Vlera e fondit limit është 1 miliard e 124 milionë lekë ose 9.6 milionë euro. ARRSH argumenton se gjendja e skarpateve në këtë segment paraqitet e dëmtuar si pasojë e kushteve klimaterike dhe mungesës së mirëmbajtjes. Një tender tjetër, që gjithashtu është shpallur mbi kufirin e lartë monetar, është ai për sistemimin dhe rivitalizimin e skarpatave në Plan i Bardhë. Segmenti rrugor Ura e Vashës–Qafë Bualli (Plani i Bardhë) ndodhet në pjesën verilindore të kryeqytetit të Shqipërisë. Distanca nga Tirana është 30 km në vijë ajrore. Rruga zhvillohet përgjatë dhe në anën veriore të brigjeve të lumit Mat, zonë në të cilën shtrihet edhe fshati Plan i Bardhë. Vlera e fondit limit për këtë tender është 1.1 miliardë lekë ose 10 milionë euro. Punimet e ndërtimit në këtë aks rrugor janë ndërprerë vite më parë. Aty janë kryer punimet e mbushjes së trasesë.